Shefi i Urgjencës te Spitali i Traumës Gjovalin Bushi në një prononcim për mediat ka folur për gjendjen shëndetësore të avokatit Sokol Mëngjesi, që u dhunua nga tre persona në mënyrë barbare.
Shefi i Urgjencës tek Trauma shprehet se pacienti ka dëmtime të shumta në kokë. Ai tha se orët në vijim janë vendimtare, në raport me atë sesi do të reagojë pacienti.
Gjovalin Bushi: Nga momenti i djeshëm e deri më sot gjendja thuajse është stabël, megjithëse duhet ta themi se pacienti vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Ka dëmtime të mëdha në kokë. Dje i është bërë një ndërhyrje e vogël nga pjesa e neurokirurgëve. Në ekzaminimin që është bërë sot në mëngjes është konstatuar se ka një ulje të edemës, e cila është ndër faktorët kryesorë që e rëndon gjendjen e pacientit. Në këto kushte, pacienti nuk ka nevojë që të kryhet ndërhyrje urgjente kirurgjikale. Nga parametrat është stabël, por pritet sesi do të reagojë më vonë. Duhet të paktën 72 orë që të shihet momenti i parë sesi do të reagojë.
Pacienti duhet ndjekur vazhdimisht, nëpërmjet ekzaminimeve imazherike. Shpresoj të kemi një përmirësim të edemës, megjithëse ka edhe dëmtime të tjera. Është nën kujdes dhe nën monitorim të vazhdueshëm. Nga të dhënat që kemi nga ekipi i mjekëve që e monitorojnë, nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Shpresoj të vijojë ky ritëm, që gjendja të jetë stabël dhe të tentohet për zgjim. Pacienti ka edhe shtypje të trurit.Orët në vijim janë vendimtare.
(Balkanweb)