ATHINE- Pas dhunës së ushtruar nga policia maqedonase mbi refugjatët në kampin e Idomenisë, Greqia ka reaguar ashpër ndaj Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, duke i cilësuar veprimet e autoriteteve policore të këtij vendi të pakonceptueshme dhe të papranueshme.

Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos theksoi se me një sjellje të tillë ky shtet nuk ka vend as në BE dhe as në NATO. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryeministrit Tsipras, që i cilësoi të turpshme veprimet e policisë së vendit fqinj, ndërsa Idomeninë e cilësoi një turp për Evropën.

Ai kërkoi që autoritetet evropiane dhe OKB për refugjatët të shprehen mbi atë që ndodhi të dielën në kampin e refugjatëve. Më herët, qeveria greke iu drejtua Shkupit me dy nota proteste duke dënuar operacionin policor kundër refugjatëve që tentuan të kalojnë gardhin që ndan dy shtetet pranë fshtatit Idomeni.

Të nxitur nga disa fletushka të shpërndara në gjuhën arabe, refugjatët u përpoqën të kalojnë gardhin, por janë zmbrapsur nga forcat policore në anën tjetër të kufirit që kanë përdorur ujë me presion, gaz lotsjellës dhe plumba plastike, në konfrontime që kanë vazhduar për më se 7 orë. Të paktën 3 fëmijë janë mjekuar me plagë në kokë, mbi 20 të rritur me plagë në trup dhe më shumë se 200 të tjerë janë trajtuar me probleme në frymëmarrje.

(el.sp/m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb