VLORË

Gjykata e Vlorës ka lënë në burg pronarin e lokalit në Porto Palermo Mihal Kokëdhima. Ndonëse Kokëdhima nuk pranoi akuzat dhe avokatët Kujtim Cakrani dhe Erion Besimaj kërkuan një masë më të lehtë duke ofruar garanci pasurore deri në 3 mijë euro Gjykata ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për pronarin e lokalit i cili akuzohet se ka dhunuar një grup turistësh spanjollë.



Kokëdhima akuzohet për “kanosje”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.


Pas pakënaqësisë së turistëve për shërbimin, Kokëdhima shpërtheu në dhunë ndaj tyre. Por në seancën e sotme ai ka deklaruar se nuk i ka prekur me dorë.


Avokati i tij, Erion Besimaj tha se klienti i tij nuk kishte ushtruar dhunë dhe se turistët dhe shoferi kishin konsumuar alkool dhe hashash.
“Zoti Mihal Kokëdhima nuk ka ushtruar kurrë dhunë dhe nuk ka kërcënuar asnjë nga turistët spanjollë apo shoqëruesit e tyre por i ka dalë para makinës për t’u thënë që të ndalonin sa të vinte policia. Këtë gjë ia ka thënë edhe policisë në telefon. Ata i kanë dhënë menjëherë gaz dhe e kanë goditur e kanë marrë para. Për t’u vetëmbrojtur që të mos e shtynte makina është kapur në kofanon e makinës dhe ka ndenjur i varur ashtu. Edhe shoferi edhe pasagjeri ishte i pirë tapë me alkool, gjë që prokuroria nuk e mori kurrë në konsideratë dhe nuk iu bëri analizë as shoferit e as pasagjerit. Madje të gjithë turistët ishin duke konsumuar lëndë kanabis sativa”, tha avokati .

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb