TIRANE

PD dorëzoi sot në Prokurorinë e Tiranës, kallëzimin penal ndaj atyre që i konsideron përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj banorëve të Unazës së Re.

Në një prononcim për mediat, ish deputeti Klevis Balliu tha se padia është ngritur ndaj: Sander Lleshajt, ministër i brendshëm, Ardi Veliu, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Niko Brahimajt, drejtor i policisë vendore Tiranë, Ermal Kapllanajt kryeinspektor i policisë bashkiake, Dallëndyshe Bicit, drejtuese e IKMT-së si edhe Granit Korbit, përgjegjës i degës IKMT, Tiranë.

Balliu tha se kallëzimi penal është hapi i parë i një premtimi të bërë nga PD për banorët e unazës, ndërsa theksoi se që të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë do të vihen përpara përgjegjësisë.

“PD do të vijojë me demaskimet, projekti është fiktiv gjithçka kanë hequr mbi kurriz duhet t’iu paguhet atyre banorëve. Ky është hapi i parë për të vënë para drejtësisë përgjegjësit. Hapi i dytë, dëmshpërblim cent për cent të banesave, edhe banorët këtë duan, sa duan arrestimin e atyre që i dhunuan, nuk duan dëmshpërblim.” u shpreh ish deputeti Klevis Balliu.

Ndërkohë sekretari për cështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata tha se në padinë penale janë parashtruar të gjitha të drejtat kushtetuese të banorëve që janë shkelur te Unaza e Re.

“IKMT, nuk mund të ndërhyjë për shembje kur s’ka një vendim të qartë kur s’ka projekt. Selektiviteti që është bërë, nuk është respektuar e drejta civile, ligji e thotë se bëhesh pronar nëse ke 20 vite ne atë pronë. Janë dy dispozita të kodit civil që ndalojnë shembjen. Sa i takon policisë janë të listuata rreth 15 nene. Është në shpërdorim detyre nga ministri i brendshëm deri te ai që e ka përdor gazin. Të tregojnë urdhrat mbi të cilët kanë vepruar. Kemi diskutuar nëse Miloshevici i përzuri kosovarët për shkak të spastrimit etnik, Rama po e bën për shkak të korrupsionit. Një ditë të gjithë do të vendosen para përgjegjësisë.” u shpreh Gjata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb