TIRANE- Dhjetë ditë pas dhunimit të biznesmenit amerikano-libanez Faad Mitri, kompania e tij tërhiqet nga investimi gjigand prej 450 milionë dollarësh në Gjirin e Lalzit.


Kompania Omnix Albania deklaron se tërhiqet nga ndërtimi i kompleksit turistik në gjirin e Lalzit dhe nga çdo investim tjetër në Shqipëri. Ajo shprehet se akti i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania përgjatë këtyre viteve. Sipas kompanisë, ky projekt gjigand synonte të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018.

Biznesmeni libanez 55-vjeçar, u përplas fillimisht me makinë, ndërsa udhëtonte me familjen dhe më pas u dhunua barbarisht nga 3 persona. Një prej autorëve të dyshuar është vënë në pranga. Sipas policisë, krimi pati si motiv konfliktin e pronësisë pikërisht për tokën tek Gjiri i Lalëzit.


DEKLARATA E KOMPANISË OMNIX ALBANIA  
Sulmi barbar i datës 10 shtator kundër Z. Fadi Mitri dhe familjes së tij na ka hidhëruar dhe trishtuar pa masë.


Ky akt i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania përgjatë këtyre viteve të fundit për ndërtimin e një kompleksi turistik prej 450 milion USD në Gjirin e Lalëzit.

Ky projekt turistik konsistonte në ndërtimin e një hoteli me 5 yje, 370 dhoma suita, me të gjithë elementët e tjerë të një standardi më të lartë, ambiente për shitje dhe dhënie me qira, aquapark, dyqane, bulevard, bare, restorante, etj.

Ky projekt gjigand synonte që të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018, si dhe do t’i jepte Shqipërisë pamjen e një vendi si destionacion turistik numër 1 në Adriatik dhe Ballkan.

Me këtë investim Omnix Albania do të kontribuonte direkt në rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Si konkluzion Omnix Albania dënon ashpër këtë ngjarje të rëndë kriminale, e cila sjell indinjatë për cdo shqiptar.

Duke filluar nga sot Omnix Albania tërhiqet nga cdo investim në Republikën e Shqipërisë.
Falenderojmë qeverinë e Shqipërisë për kujdesin ndaj familjes së zotit Fadi Mitri në këtë moment të vështirë për ta.

I jemi mirënjohës të gjithë atyre miqve, shumica shqiptarë, të cilët kanë qëndruar pranë dhe kanë mbështetur familjen e zotit Fadi Mitri në këto ditë.
Jamal Abu Issa, drejtues i OMNIX Group

MINISTRJA IKONOMI I LUTET: VAZHDOJE INVESTIMIN
Pas lajmit të publikuar në media se firma e biznesmenit Faad Mitri do të tërhiqet nga investimi në Gjirin e Lalzit, vetëm ministrja e Ekonomisë, Milva Ikonomi ka shkuar ta takojë në spital, duke e siguruar që të mos ketë frikë, por ta vazhdojë investimin.

“I shpreha mbështetjen e qeverisë shqiptare për ta vijuar investimin e Omnix. I garantova mbrojtjen e tij dhe familjes nga skrukturat e policisë së shtetit. Shteti i gatshëm t’i vërë në dispozicion mbrojte gjatë 24 orëve. I shpreha gjithashtu gadishmërinë e strukturave shëndetësore për vijim e rehabilitimit të tij. Biznesmeni më shprehu falenderimin ndaj qeverisë shqiptare për kujdesin e treguar për të dhe familjes në këtë moment të vështirë”, tha Ekonomi.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)