Dhuna ndaj gjyqtarit Hamiti është një ngjarje e paralajmëruar kohë më parë, herët apo vonë ky moment ishte i pashmangshëm, në një kohë kur dukej e pa mundur që një ndeshje e Superligës të menaxhohej vetëm nga policia private. Zbatimi i ligjit të ri, i cili parashikon largimin e policisë së shtetit jashtë stadiumeve , i bënte shumë të prekshëm futbollistët, zyrtarët e ndeshjes, apo dhe vetë tifozët.

As klubet e as tifozët nuk kishin as kohën e duhur, e as kulturën e duhur për të zbatuar menjëherë këtë ligj, kjo u pa qartë që në javën e parë të Superligës, ku në sfidën Skënderbeu-Partizani, tifozët kaluan rrethimet e stadiumit duke u konfrontuar ndërmjet tyre. Policia private, në rastin më të mirë, e paktë në numër, nuk e ka potencialin e duhur për ti bërë ballë turmës së tifozëve.

Thuajse në çdo sfidë e cila prodhonte pak tension në fushë, apo ku në valle ishin pikë jetike, tifozët ishin gjithnjë rrezik konstant për lojtarët apo arbritrat. Incidentet me “xhaketat e zeza” kanë qenë prezent në shumë ndeshje, mjafton të shohim vendimet e Komisionit të Disiplinës, ku çdo javë gjejmë vendime me gjobë apo pezullime.

Ashtu siç pritej me kalimin e javëve situata do të ishte edhe më e nxehtë, ndodhi një javë më parë ku tifozët u futën në fushë duke dhunuar zyrtarin e klubit Flamurtari, ku më shumë se sa policia private u desh ndërhyrja e vetë lojtarëve për të qetësuar tifozët. Dhuna ndaj gjyqtarit Hamiti ishte akti më i rëndë, një dhunë e cila tashmë kërcënon seriozisht vijimin e kampionatit, pasi çdo javë që kalon, situata pritet të jetë edhe më e nxehtë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb