TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë sot pretencën për dy deputetët socialistë, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu të akuzuar për dhunën ndaj deputetit të PD-së, Gent Strazimiri. Organi i akuzës kërkon 1 vit burg për Arben Ndokën dhe 8 muaj burg për Pjerin Ndreu. Sipas Prokurorisë dënimi për Ndokën mund të konvertohet në 150 orë punë publike ndërsa për Ndreun në 100 orë punë publike.

“Prokuroria e Përgjithshme kërkon shpalljen fajtor të shtetasve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, me funksion deputet, dhe dënimin e tyre përkatësisht me 1 vit burgim (Ndoka) dhe 8 muaj burgim (Ndreu), të akuzuar për konsumimin e elementëve të veprës penale parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, “Goditje për shkak të detyrës” në dëm të shtetasit Gent Strazimiri, me funksion deputet, ngjarje e ndodhur në datë 10.07.2014 në ambientet e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Në konkluzionet e saj prezantuar sot para Gjykatës së Lartë, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi që, në bazë të nenit 63 të Kodit Penal, nëse të akuzuarit japin pëlqimin e tyre, të pezullohet dënimi me burgim dhe zëvendësimin e tij me detyrimin për të përmbushur një punë në interes publik, me pëlqimin e tij dhe pa shpërblim, në favor të interesit publik, në një masë të përgjithshme prej 150 orë pune për shtetasin Arben Ndoka dhe 80 orë pune për shtetasin Pjerin Ndreu.

Prokuroria e Përgjithshme, në përfundim të gjykimit, ka argumentuar se deputeti Strazimiri është goditur për shkak të detyrës nga dy kolegët e tij, Ndoka e Ndreu, si pasojë e deklarimeve që ka bërë gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të datës 10.07.2014, ku, ndër të tjera, ka përmendur faktin se në Parlamentin e Shqipërisë ka persona me rekorde kriminale, por pa përmendur nominalisht se për cilët bëhej fjalë. Menjëherë pas fjalës së tij, deputeti Strazimiri ka dalë nga salla plenare në ambientet e një korridori të brendshëm, ku fillimisht është goditur me grushte dy herë në fytyrë nga deputeti Arben Ndoka. Pak çaste më vonë, ai është goditur me shpullë në pjesën e pasme të kokës edhe nga deputeti Pjerin Ndreu.

Sipas hetimit dhe më tej gjatë gjykimit, Prokuroria ka administruar prova dhe dëshmi, në bazë të të cilave ka krijuar bindjen se të pandehurit kanë goditur të dëmtuarin për shkak të deklarimeve që ky i fundit ka bërë në sallën e Kuvendit. Kjo, sipas argumenteve të Prokurorisë, bazohet në faktin se ndërmjet personave nuk ka pasur më parë konflikte dhe se, në momentin e konsumimit të veprës penale, dy deputetët e akuzuar nuk kanë pasur asnjë komunikim me deputetin e dëmtuar, por e kanë goditur menjëherë. Dinamika e ngjarjes është provuar në bazë të dëshmive të personave të pranishëm, si edhe nga pamjet filmike të administruara gjatë hetimit dhe të paraqitura në gjykim.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb