TIRANË – Partia Demokratike i kërkon drejtësisë të mos ndikohet nga shantazhet e deputetit socialist Pjerin Ndreu lidhur me dhunën e ushtruar në Kuvend ndaj demokratit Genti Strazimiri dhe përforcon vendim e saj për ta çuar përpara dekriminalizimin e Kuvendit, pavarësisht pengesave që po I nxjerr përpara çdo ditë, Kryeministri.

Deputeti Oerd Bylykbashi deklaroi sot nga selia e PD-së se “PjerinNdreu tentoi t’i bënte presion drejtësisë në derën e Gjykatës së Lartë, me një gënjeshtër publike. Ndreu, i cili është marrë i pandehur nga Prokuroria, por është i pandehur edhe në sytë e mbarë qytetarëve të vendit, për goditje për shkak të detyrës, tha dje se vetëm e ka prekur deputetin Strazimiri.

Kemi pamjet filmike të aktit banditesk që ndodhi më 10 korrik 2014, pamje që i ka çdo redaksi, dhe që i kanë pare të gjithë shqiptarët. Në këto pamje duket qartë jo vetëm sulmi fizik, por bie në sy egërsia dhe urrejtja e manifestuar ndaj deputetit Strazimiri. Vetëm një i pandehur që kërkon t’i shpëtojë drejtësisë , mund të thotë se kjo ishte një prekje,”- theksoi ai.

Sipas Strazimirit, “kjo është një dhunë e pështirë, që burimin e ka tek nxitja e Kryeministrit, tek urrejtja dhe frika e Edi Ramës për fjalën e lirë, për kundërshtimin dhe denoncimin e kriminalizimit të politikës dhe administrates publike. Deputeti i Edi Ramës, dorasi i tij në fakt, bën të kundërtën. Sulmon sërish opozitën, gënjen publikisht dhe paturpësisht dhe kërkon t’i bëjë presion Gjykatës.

Partia Demokratike i kërkon drejtësisë të çojë deri në fund çështjen e të mos ndikohet nga shantazhe si ato të pandehurit Ndreu. Ne jemi të vendosur dhe do ta çojmë përpara dekriminalizimin, pavarësisht pengesave që po nxjerr çdo ditë Edi Rama,”- përfundoi ai.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb