KUKES – Shpërthen presidenti i Kukësit, Safet Gjici. Vetëm pak minuta pas përfundimit të ndeshjes në Laç, ai ka lëshuar akuza pa fund në drejtim të homologut të tij kurbinas, Pashk Laska. Gjici tregon versionin e tij për ngjarjen e djeshme, ndërsa e cilëson si një luftë me banda. Sipas tij, presidenti i Laçit i ka bërë presion gjyqtarit dhe delegatit për të mos e ndërprerë ndeshjen.
Ngjarja
“Ajo që ndodhi sot (dje) në Laç, vetëm futboll nuk ishte, por luftë me banda. Ne kemi shkuar atje të luajmë futboll dhe jo të bëjmë luftë. Lojtari ynë, Smajli, është goditur gjatë gjithë kohës me gurë e me sende të forta. Ai arbitër, kur pa lojtarin të gjakosur, si nuk e ndërpreu ndeshjen?! Çfarë arbitri është ky, çfarë pret ai që lojtari të vdesë në fushë, ta varrosim aty?! Nuk është futboll ky! Një si Pashk Laska, që duhet të ishte përjashtuar nga futbolli, kështu mund të fitojë, me dhunë, me armë dhe kallash. Lojtari ynë është çarë dhe është transportuar në Spitalin Ushtarak në gjendje të rënduar, ndërsa ndeshja nuk u ndërpre. I kërkuam delegatit dhe arbitrit ta bënin një gjë të tillë, por atyre u ka shkuar Pashk Laska dhe u ka bërë presion për të ndërruar procesverbalet. I dërgova ‘sms’ edhe presidentit të FSHF-së, Duka, madje mora edhe Tahir Kastratin, duke i thënë se nesër (sot) do të sjellim provat. Ndeshja është parë direkt në televizor dhe të gjithë e dinë se çfarë ndodhi. Djali i tij (Pashk Laskës), së bashku me një polic, kanë marr kasetën e ndeshjes me dhunë. Do të kërkojmë dhe për këtë, ta gjejnë policin kush është dhe të dënohet. Në vend që të shkonte të kapte ata që goditën Smajlin, polici shkoi të marrte kasetën. Nuk është futboll ky, kjo është luftë! Ne e kishim fituar ndeshjen, bëmë golin dhe gjatë kësaj kohe tifozët po gjuanin me shishe. Pastaj kur e panë që nuk e fitonin dot ndeshjen, shkoi Laska te delegati dhe arbitri duke i bërë presion. Ky është i vetmi president që nuk rri në tribunë. Si ka mundësi që ky president nuk rri në vendin e vet, por shkon sa andej e sa këtej nëpër delegatë e arbitra, duke u bërë presion?! Çfarë presidenti është ky, çfarë futbolli është ky?!”, deklaroi i irrituar presidenti i Kukësit.
Kërkesa
“Në mënyrën më absolute do të kërkojmë trepikëshin në tavolinë dhe gjithashtu dënimin e ekipit të Laçit dhe vënien përpara drejtësisë të organizatorëve. Do të bëjmë kallëzim penal për autorët e ngjarjes. Nga ana tjetër, mund të themi se policia nuk ka bërë detyrën e vet. Ka lejuar tifozët me gurë, me shishe, me çadra dhe me sende e mjete të forta, duke mos i kontrolluar. Ne prandaj kemi kërkuar forca policore shtesë, për këto arsye, që të kontrollojnë një për një tifozët, pasi u pa që aty do të kishte probleme ndeshja. Tani, nëse ky arbitër priste që lojtari të vdiste në fushë, në bazë të rregullores, duhet të ndërpriste ndeshjen në momentin që u godit Smajli. Ai u gjakos rëndë me çadër dhe imagjino nëse ajo do ta kapte në sy. I është kërkuar arbitrit nga trajneri dhe nga drejtori teknik që të ndërpriste ndeshjen, por ai nuk e bëri një gjë të tillë nga frika. Jorgji e bëri këtë, sepse në Laç nuk luhet futboll, por bëhet luftë. Kjo është logjika në Laç, për të fituar duhet dhunë. Nuk kanë faj lojtarët, ata kanë ardhur për të luajtur futboll”, shtoi Gjici.
Arsyet
Në fund Gjici thotë se policia i ka të gjitha faktet dhe se duhet të veprojë. Sipas tij, në stadiumin e Laçit pati nga të gjitha, madje edhe armë. “Arsyet pse ndodhi gjithë kjo, i di vetëm presidenti i Laçit, unë nuk i di. Skuadra ka shkuar në Laç të luajë futboll. Ai (Laska) e pa që Kukësi po fitonte, e pastaj filloi dhuna. Të fitonte më i miri, por kur e panë që nuk na dilnin dot me lojë, çfarë bëri: dhunë, goditje lojtari, sharje, presion arbitrit, ndërhyrje të rënda në fushë. Policia ka qenë aty, kamerat i kanë të gjitha faktet, e pa gjithë Shqipëria çfarë u bë. Të luhet futboll tamam, ne i mundim, por jo me luftë, me sende të forta, me grushte apo me armë, ça nuk ishte futur në stadium”, përfundoi Gjici, i cili njëherësh është edhe në postin e prefektit të Kukësit.
(er.nu/panoramasport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb