MAQEDONI- Të tjera video të publikuara në media tregojnë dhunën barbare të ushtruar në Kuvnedin e Maqedonisë dy ditë më parë. INA ka siguruar videon e momentit kur janë pritur me brohoritje personat e maskuar që rrahën brutalisht deputetët e LSDM dhe kreun e LR-PDSH, Ziadin Sela.

Madje njëri nga përkrahësit ka kërkuar kokat e tyre, duke mos saktësuar se për kë e kishte, shkruan INA.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë publike se pas ngjarjeve të djeshme dhe trazirave 83 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalet e Shkupit, nga të cilët 54 qytetarë, 25 policë dhe 3 deputetë e një gazetar.

Shumica e të lënduarve janë lëshuar nga spitalet, ndërkaq disa dhjetëra janë mbajtur për shërim, për shkak të lëndimeve më serioze. Ministria bëri me dije se janë arrestuar 8 persona të cilët kanë ushtruar dhunë në Parlamentin e Maqedonisë dhe ata po mbahen në stacion policor.

Ministri i Punëve të brendshme i Maqedonisë, Agim Nuhiu, tha se një pjesë e strukturave udhëheqëse të dikasterit të policisë nuk e kanë kryer punën si duhet dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi. Ai paralajmëroi dorëheqjen dje, duke u shprehur se ndjente përgjegjësi për këtë akt të pashembullt.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: