Nga ELTON DONO*


Prindërit e 33-vjeçarit Tomi Misha kanë denoncuar në “News 24”, dhunën e ushtruar sipas tyre, nga Zv.drejtori i Policisë së Korçës, Arben Hyseni, ndaj djalit të tyre, Tomi Misha edhe brenda qelive të paraburgimit, pas rrahjes që iu nga dy efektivë, pasi i gërvishti makinën Hysenit.


Sotiraq dhe Gjylse Misha (në foto) thanë se djali i tyre është rrahur barbarisht me pranga në duar, para se videoja të shfaqej në internet.


Nëna e Mishës tregoi: “Pa dalë video në televizion, ka zbritur Zv.drejtori poshtë në paraburgim dhe e ka goditur tre herë të tjera, djalin. E ka dhunuar djalin. Që atje është sjellë në spital, me dhimbje koke, me të vjella. Në momentin kur është goditur, i ka dalë shpatulla dhe djali ka thirrur “oh, shpatulla”. Nuk na kanë lejuar ta takojmë, edhe këtu në spital ishte policia me tre furgonë.”

Kurse, i ati i 33-vjeçarit lëshoi një apel: “I bëj thirrje policëve, ndalni dhunën, mos godisni. Çfarë ka bërë djali i vogël? Në kushtet e një presioni të tillë, duke parë vëllanë duke e rrahur, ka hyrë që t’i ndajë. Po nuk na jep besim fare ne kjo Polici. Nuk dimë nga të ruhemi. Kanë bërë presion të paparë dhe ndaj familjes. Po unë do ta ruaj familjen time me çdo kusht, nga kushdo që të jetë.”

Burime nga spitali i Korçës bënë me dije për “News24” se Tomi Misha ëshë shoqëruar nga 3 furgona policie që prej orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme dhe ka patur të vjella gjatë gjithë natës. Gjithashtu, sipas prindërve, mjekët kanë bërë konsulta me njëri-tjetrin herë pas here, për shkak të gjendjes jo të mirë të tij. Pritet që t’i bëhet grafi në shpatull, në rast të një frakture të mundshme.

Tomi Misha ishte dje, protagonisti i një videoje të filmuar me celular nga qytetarët, transmetuar nga “News 24”, ku ai i kishte gërvishtur makinën, Zv.Drejtorit të Policisë së Korçës në qendër të këtij qyteti. Por, edhe pse ai i kërkoi falje, u dhunua nga dy efektivë: Robert Memelli dhe Koço Miço. Por, pas publikimit të videos anonime, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, pezulloi menjëherë nga detyra, Zv.Drejtorin e Policisë së Korçës, Arben Hysenin dhe dy efektivët.

(ar.sh/BalkanWeb)