Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi i ftuar në studion e emisionit “Dritare me Rudinën” në News 24 deklaroi se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje farse.


“Në 30 qershor nuk do ketë zgjedhje. Shqiptarët s’mund të marrin pjesë në votime false. Situata në Shqipëri është e paprecedentë, po ikin me mijëra shqiptarë”,- tha Këlliçi.


Ai replikoi disa herë me zv.ministren Rovena Voda, ndërsa sqaroi edhe dilemën që kanë sot shumë shqiptarë: A do ketë dhunë me 30 Qershor?


I pyetur nga kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati që të sqaronte pikërisht këtë fakt, Këlliçi tha se aktet e dhunës atë ditë i interesojnë vetëm Edi Ramës.

“Dhuna nuk ka qenë kurrë instrument dhe mjet i kësaj force politike dhe nuk do të jetë. Çdo akt dhune i shërben një njeriu, Edi Ramës…Gjysma e lënë jashtë zgjedhjeve e ka të pamundur të lejojë farsën…Por nga kjo seli nuk do dalin kurrë thirrje për dhunë dhe për marrje me forcë të pushtetit…”,- vijoi Këlliçi.

Demokrati ndër të tjera shprehu bindjen se pret që të ketë një reflektim nga mazhoranca ditën e premte.

“Jam shpresëplotë që deri ditën e premte do ketë një reflektim. Të kuptohet se një tension i panevojshëm nuk i shërben kurrkujt”,- vijoi ai.

(m.a/BalkanWeb)