Nga FATMIR POPJA*

PEQIN – Tifozët vendas të Shkumbinit pasi kanë dhunuar psikologjikisht futbollistët dhe trajnerët e Sopotit gjatë ndeshjes Shkumbini-Sopoti, e mbyllur me fitoren 1-2 të librazhdasve e vlefshme për grupin B të Kategorisë së Parë, pak minuta pas saj nuk kanë “kursye” as dhunën fizike per ta.

Sipas burimeve zyrtare pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Gentjan Stojku dhe zv/trajneri Elton Ceno të ekipit të Sopotit të Librazhdit janë goditur nga tifozët vendas, duke përfunduar të dy në spital.

Incidenti i shoqëruar me dhunë barbare ndaj trajnerëve të Sopotit ka ndodhur në ambientet e spitalit të Peqinit ku futbollistët dhe trajnerët e Sopotit kishin shkuar për të ndjekur ecurinë e gjendjes shëndetësore të shefit të K.F.Sopoti, i cili kishte pasuar një përkeqësim të papritur shëndetësor.

Pas ngjarjes kanë ndërhyrë edhe forcat e policisë duke shoqëruar edhe disa nga tifozët të dhunshëm, ndërkohë që anëtarët e tjerë të ekipit të Sopotit janë marrë në mbrojtje nga efektovët e komisariatit të policisë së Peqinit, deri në normalizimin e situatës. Trajnerët e dëmtuar janë transportuar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit ku ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas Elton Cenos, zv.trajner i Sopotit, ai dhe trajneri Stojku janë sulmuar barbarisht dhe pa asnjë shkak dhe për shkak të dëmtimeve të pësuara ata janë mjekuar dhe i janë nënshtruar disa ekzaminimeve të rëndësishme mjekësore.

Ekipi i Sopotit është një nga pretendentet e kryesore e grupit B në Kategorinë e Parë për të kaluar vitin e ardhshëm në Superiore. Librazhdasit renditen të parët me 16 pikë të grumbulluara në 9 ndeshje të luajtura, ndërsa ekipi i Shkumbinit ndodhet në vend të fundit.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: