Deputetja Rudina Hajdari përmes një statusi në “Facebook” dënon ashpër atë që e quan gjuhë seksiste të tij kundër një gazetareje. Hajdari shprehet se Gjinushi e nisi karrierën e tij në krye të Akademisë së Shkencave duke përdorur fjalor dhunues seksual ndaj një gazetareje.

Hajdari më tej shton se Rama e ka shpërblyer në këtë post Gjinushin, pasi ky i fundit ia ka dorëzuar partinë. Gjithashtu, deputetja Hajdari thotë se në Akademinë e Shkencave ka ish-spiunë të Sigurimit të Shtetit.

Statusi i saj:

Kryetari uzurpues i Akademisë se Shkencave i nisi minutat e para të karrierës së tij me dhunimin verbal seksist të një gazetareje të re.

I paligjshëm nga takat e këpucëve deri te flokët ai uzurpoi A.SH. si kryetar partie politike nëpërmjet një truku me K.M, duke i falur atij partinë per zgjedhjet e 30 Qershorit dhe Rama i fali akademinë e paralizuar me anëtarë me statuse joligjore, si çerdhe e shkaterrimit të historisë dhe albanologjisë, per të mos përmendur shkencat inekzistente të sakta.

Sikurse nuk ka bërë kurrë zgjedhje brenda partisë së tij shekullore pseudo-socialdemokrate, ashtu uzurpoi A.SH, me puç institucional prej një kapterri që hiqet si gjeneral në pension i shkencës. Prej tridhjet vjetësh asnjë libër, artikull shkencor, apo botim serioz, asnjë arritje në matematiken e aplikuar.

Dështim në shkencë, dështim në politikë si një rast partikular në të cilin “gjenerali i ekuacioneve” dëshironte të aplikonte matematikën në politikë, ku prej tre dekadash nuk mori kurrë më shumë se një mikrobus me votues. Duke mbetur profan në faktin se asnjëherë nuk mësoi se ku pritet shkenca me politikën ai preu kokat të gjithë miqve të tij në parti që ikën nga sytë këmbët.

Vjen në akademinë e shkencave dhe qysh në fjalimin e parë poshtëron asamblenë duke e quajtur konsultative. Mbledh nëntedhjetevjeçarë që dramën e jetës së tyre kane pasur faktin që i kanë bëre hosana vrasësit të babait te tyre, një pjesë me ishemira, një pjese të korruptuar me pagesa të paligjshme, me mbeshtetje nga akademikë ishspiunë të sigurimit, sekretarucë diktatorësh, të dyshuar nga kolegët për plagjiatura, të tjerë që nuk dihet ku punojnë nëpër botë etj. Më vjen keq për një pjesë të akademikëve të vërtetë që nuk patën forcën dhe moralin e duhur t’i kundërvihen uzurpuesit anakronik.

Bëri reformën farse, për të sunduar mbi një institucion, ku veç truri nuk ka më efikasitet, pa marrë në konsideratë që në perëndim gjënden me dhjetëra shkencëtarë të rinj shqiptarë të vlerësuar maksimalisht nga shkenca botërore moderne.

Padyshim që Kuvendit do t’i paraqes që t’i presë sa më parë buxhetet kësaj karakatine, mbi samarin e të cilës ka hypur “gjenerali” në pension. Përndryshe, do të ndodhi ajo që nuk ka ndodhur në qindra vjet akademi, ku politikani i paudhë do të drejtojë shkencën dhe të paligjshmit dhe të paditurit, do të drejtojnë institucionin.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb