E paprecedentë ishte ngjarja që ndodhi sot në mes të ish-Bllokut, ku ish-Dekani i Fakultetit Juridik, avokati i njohur që mbron edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, Sokol Mëngjesi, u dhunua nga persona ende të paidentifikuar nga policia. Në një lidhje live për News24, nga vendi i ngjarjes, gazetari Igli Çelmeta raportoi se gjithçka ndodhi pasi Mëngjesi, ashtu si për çdo ditë, po çonte djalin e tij në kopsht.

Tre persona, të cilët ka dyshime se kishin planifikuar gjithçka, pasi prej ditësh mendohet se ndiqnin avokatin, i kanë zënë këtij të fundit dhe e kanë dhunuar. Kjo gjë është faktuar dhe nga kamerat e sigurisë të zonës që duket se kanë filmuar gjithçka.

Sakaq, avokati ndodhet në spital, pasi ka dëmtime në kokë dhe trup, për shkak të goditjeve që ka pësuar nga grushtet, por dhe leva.
Policia po punon për identifikimin e autorëve.

Sakaq, në vendin e ngjarjes ndodhet një grup i posaçëm hetimor i ngritur nga prokuroria dhe komisariati nr.2.

Sokol Mëngjesi është avokat me përvojë disa vjeccare në jurisprudencë. Ai është angazhuar si ekspert në fushën e ndryshimeve ligjore nga institucione publike, të tilla si Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës.

Në shtator të vitit 2020, Sokol Mëngjesi u zgjodh Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Mëngjesi ka një përvojë të gjatë edhe në mësimdhënie, ndërsa është autor edhe i një numri të madh punimesh shkencore të paraqitura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, artikujsh shkencorë të botuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe monografish e tekstesh shkollore në Shqipëri dhe Greqi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb