SKRAPAR- Dritan Hoxha, mjek në Qendrën Shëndetësore të Poliçanit është dhunuar sot nga kryetari i Bashkisë së këtij qyteti, Adriatik Zotkaj. Ka qenë vetë mjeku që ka denoncuar rastin në polici, por edhe në Neës24. Në një lidhje telefonike, Hoxha tha se nuk ka pasur asnjë debat apo konfrontim fizik, më kreun e Bashkisë dhe se gjithçka ka ardhur papritur. Hoxha tha se është qëlluar nga Zotkaj në fytyrë dhe si pasojë ka dëmtime në syrin e majtë. Mjeku pohoi se dhuna ka ndodhur në sy të dhjetëra pacientëve, të cilët kanë mbetur të tmerruar dhe janë larguar me shpejtësi, megjithëse ishin të sëmurë. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri të shohin me precedencë rastin, pasi sipas tij nuk është hera e parë që Kryetari i Bashkisë së Poliçanit dhunon qytetarët e tij.

Ndërkohë pas akuzave të mjekut Hoxha, kreu i Bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotkaj tha në një lidhje telefonike për News24 se “Nuk ka asgjë për të thënë”.

“Sot në orën 9 e 30, po kryeja vizitë kur dëgjova të bërtitura jashtë Qendrës Shëndetësore, pashë që kreu u bashkisë, Adriatik Zotkaj bashkë me disa persona po dhunonte një qytetar. Unë nuk ndërhyra, vetëm po shihja ngjarjen, në pritje ti jepja ndihmën qytetarit. Kreu i Bashkisë kthehet drejt meje dhe më sulmon me fjalët më fyese që kam dëgjuar ndonjëherë. Më pas hyj brenda dhe kreu i bashkisë vjen brenda dhe ndërsa unë isha me uniformë më qëllon. Aktualisht kam dëmtime në syrin e majtë. Nuk kam pasur përplasje me kreun e bashkisë, nuk kemi pasur asnjë konfrontim. Nuk e kuptoj pse reagoi ashtu ndaj meje. Kreu i bashksië nuk konsumon alkool, që të thuash ishte i dehur. Kam bërë denoncim në polici. Unë s’kam bërë asnjë debat para dhe gjatë dhunës. Kanë qenë të pranishëm 20 pacientë, të cilët janë larguar me shpejtësi për shkak të sherrit, u tmerruan dhe ikën pavarësisht problemeve që kishin. I bëj thirrje kryeministrit dhe ministrit të brendshëm ta shikojnë me precedencë këtë akt, sepse nuk është rasti i parë që ky kryetar bashkie ushtron dhunë ndaj qytetarëve të tij, jo ndaj meje por të tjerëve”, ka deklaruar mjeku Dritan Hoxha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb