Nga: ELTON DONO*KORÇE-Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-zëvendësdrejtorin e Policisë së këtij qarku, Arben Hyseni, si dhe ish-vartësin e këtij të fundit, Robert Memelli, të cilët akuzohen se dy muaj më parë dhunuan qytetarin Tomi Misha. Burime zyrtare nga organi i akuzës bënë me dije se Hyseni dhe ish-efektivi i Policisë, Memelli, akuzohen për veprën penale “Kryerje e veprimeve arbitrare” në dëm të Tomi Mishës. Ndërkohë, mësohet se është marrë i pandehur edhe ky i fundit, për veprat penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të policisë”. Ndërsa, ndërsa vëllai i tij, Ernest Misha akuzohet për “Kundërshtim i punonjësve të policisë së rendit publik”. Ndërkaq, prokuroria nuk ka çuar për gjykim efektivin tjetër që u përfshi në incidentin e ndodhur në qytetin juglindor në shkurt të këtij viti. Bëhet fjalë për Nevzat Blushin. Nga hetimet e kryera nga organi i akuzës (referuar dëshmitarëve si dhe pamjeve filmike të videos së transmetuar), Blushi nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në dhunën e ushtruar ndaj 33-vjeçarit Misha. Ngjarja për të cilën janë marrë të pandehur katër personat e mësipërm ka ndodhur më 20 shkurt.
NGJARJA
Rreth orës 14:00, vetëm 50 metra nga qendra e qytetit të Korçës, Tomi Misha përplasi nga pas makinën e zv.drejtorit të Policisë, Arben Hyseni, çka solli një debat mes tyre. Pak çaste më vonë në vendngjarje mbërriti një makinë policie me dy efektivët Memelli e Blushi, të cilët u afruan për të parë më nga afër situatën në të cilën ishte përfshirë eprori i tyre. Duke iu referuar videos së përcjellë nga një filmim amator, pas lëvizjes së mjeteve pak metra më tej për të liruar rrugën, efektivi Memelli ka qëlluar me shpulla 33-vjeçarin Misha. Ngjarje kjo që ka ndodhur para syve të zv.drejtorit Hyseni si dhe të efektivit tjetër Blushi, i cili i mbante duart Mishës. Pas këtyre skenave, në vendngjarje ka mbërritur edhe vëllai i Mishës, Ernest Misha, i cili, pasi ka parë dhunën e ushtruar ndaj të vëllait, në përpjekje për ta ndihmuar atë ka ushtruar dhunë fizike ndaj efektivit Memelli. Pas këtij momenti ka ndërhyrë Hyseni për të neutralizuar situatën, por Ernest Misha, në bazë dhe të rrëfimeve të një dëshmitari okular, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke u shpëtuar policëve.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: