Një 28-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë së Vlorës, pasi dyshohet se në bashkëpunim me xhaxhanë e tij, kanë dhunuar fizikisht shtetasin O. A., 36 vjeç, banues në Panaja, si dhe i kanë dëmtuar me sende të forta automjetin e tij tip “Alfa Romeo”, të parkuar.

Për pasojë është shpallur në kërkim edhe xhaxhai i 28-vjeçarit, shtetasit L. B., 47 vjeç.

Njoftimi: 

Dhunuan për motive të dobëta një shtetas dhe i dëmtuan automjetin, vihet në pranga 28-vjeçari dhe shpallet në kërkim xhaxhai i tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Shqiponja, pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Selevec”, fshati Hoshtimë, Vlorë, një shtetas ishte dhunuar fizikisht dhe i kishin dëmtuar automjetin me sende të forta, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i informacioneve të marra, nga Forca e Posaçme Shqiponja u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. B., 28 vjeç, banues në fshatin Panaja.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë shpallën në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit L. B., 47 vjeç, (xhaxhai i shtetasit K. B.) banues në fshatin Panaja.

Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se për motive të dobëta kanë dhunuar fizikisht shtetasin O. A., 36 vjeç, banues në Panaja, si dhe i kanë dëmtuar me sende të forta automjetin e tij tip “Alfa Romeo”, të parkuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb