“Shqiptarët ndërmjetës të italianëve dhe të huajve në trafikun e drogës”. Kështu konstaton Drejtoria Investigative Antimafia në Itali në raportin e 6-mujorit të dytë të vitit 2014 lidhur me veprimtarinë e grupeve mafioze në territorin e Italisë, goditjen e tyre, por dhe lidhjet e tyre me grupe të tjera.

Në raportin prej 296 faqesh, ekspertët e DIA-­s, i kanë kushtuar një hapësirë dhe grupeve kriminale të huaja që veprojnë në Itali, ku një ndër organizatat kriminale të huaja me depërtuese, siç cilësohet prej tyre, është ajo shqiptare, që dallohet për metodat veçanërisht të dhunshme; të cilës i atribuohen aktivitetet kriminale të rrezikshmërisë më të madhe.

“Struktura e saj prezantohet me grupe në bazë familjare ose të të afërmve, brenda të cilave del figura e kapos dhe ku brenda saj aplikohen marrëdhënie jashtëzakonisht të forta, të rregulluara nga ligje të pashkruara. Grupet kriminale shqiptare, fillimisht të ndara dhe të shpërndara kryesisht në veri të vendit, janë bashkuar dhe tashmë veprojnë në të gjithë territorin, duke bashkëvepruar me organizatat kriminale lokale dhe në sinergji të plotë me eksponentët kriminal që ndodhen në vendin e origjinës”, thuhet në raport, cituar nga “Top Channel”.

Më tej, thuhet se grupet shqiptare kanë arritur tashmë një nivel organizativ, të tillë në mënyrë që mund të zënë një pozicion kyç në skenën kriminale në vend, e favorizuar kjo dhe nga afërsia gjeografike me Italinë, shpeshherë e përdorur si hyrje e privilegjuar në Bashkimin Europian, si dhe nga bashkëpunimi i provuar me grupet e tjera kriminale. “Për shkak të pozicionit të saj gjeografik, Pulja përfaqëson një stacion të detyruar për trafikun e paligjshëm që vjen nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, kështu që marrëdhëniet me organizatat kriminale puljeze janë të forta, duke i dhënë mundësi këtyre të fundit, që nëpërmjet organizatave kriminale shqiptare, të ketë akses të leverdishëm në çdo produkt të jashtëligjshme”, shkruhet në raportin e Drejtorisë Investigative Antimafia, sipas TCH.

Duke u ndaluar tek marrëdhëniet e organizatave kriminale shqiptare, veç grupeve kamorriste, kohët e fundit është vërejtur dhe një afrim me mafien tradicionale. “Është provuar gjithashtu ekzistenca e raporteve mes elementëve kriminal shqiptarë dhe eksponentëve të klanit “Casalese”, ashtu siç është konfirmuar dhe rëndësia e “Drejtorisë së Ballkanit”, si kanal furnizimi me lëndë narkotike për grupet e Camorra­s. Së fundi, janë intensifikuar edhe në terma kualitativ, raportet me mafien tradicionale. Ku gjatë një hetimi të mbyllur së fundmi, është provuar anëtarësia e një shqiptari në organizatën mafioze “Stidda”, në veçanti me klanin “Dominante­Carbonaro”, e cila vepron në provincën e Raguzës”, shprehen ekspertët italianë të antimafias.

Duke u ndalur tek burimi kryesor i fitimeve, sipas DIA­s, padyshim që mbetet ai i lëndëve narkotike, pasi në raport evidentohet se grupet shqiptare janë të gatshme për të hyrë në shkëmbime ndërkombëtare, janë operativ në zona të ndryshme të botës dhe mundësia për të shfrytëzuar mbështetjen logjistike në territorin e origjinës, i ka mundësuar atyre që të fitojnë një rol kryesor në trafikun e drogës, aq sa të bëhen ndërmjetës të privilegjuar të bashkëpunimeve mes organizatave italiane dhe atyre të huaja. Në raportin e 6­mujorit të dytë të 2014, janë paraqitur dhe disa raste të arrestimit të shqiptarëve me sasi të mëdha lëndësh narkotike, apo raste të tjera ku ata janë përfshirë në krime të rënda, si vendosje eksplozivi apo shkëmbime zjarri.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb