Jemin Gjana e njeh që në qelizë Partinë Demokratike, sukseset dhe mossukseset e saj përgjatë 29 viteve të jetës politike, ndaj ai e ka të “provuar’ se kush ka dashur të jetë pjesë e saj, nuk është larguar kurrë me pahir. Ish-ministri, aktualisht anëtar i Këshillit Kombëtar, thotë për “Gazeta Shqiptare” se, “kush i ka dashur dyert e dritaret hapur, për të hyrë e për të dalë, e ka marrë ndonjë të ftohtë që më pas i ka kushtuar. Kush ka ardhur me mendjen ‘hajde, merr dhe ik’ ka bërë ndonjë prokopi për vete, po e ka të cungët biografinë politike”.


Z.Gjana, një betejë e gjatë politike e opozitës kundër Edi Ramës, por ai sërish është në pushtet. Si mund të shkohet drejt zgjidhjeve ligjore? Çfarë e zgjidh konkretisht krizën politike, përse kaq e vështirë zgjidhja e saj?
Që të flasim për zgjidhjen, duhet të biem dakord së pari nëse situata ku ndodhet vendi është një “krizë politike”, apo një zhvillim i përçudnuar antisistem, që askush nuk di ta emërtojë saktësisht. Gjithandej nëpër kontinentin tonë shfaqen herë pas herë kriza politike, por atje palët zhvillojnë përgjegjësitë e ndërsjella, shteti është në këmbë, institucionet funksionojnë, ndarja e pushteteve ruan balancat, krimi i organizuar dhe kur shfaqet, shtypet; qytetarët dëgjohen e përfillen dhe nuk marrin arratinë nga sytë këmbët prej vatrave të tyre. Te ne nuk bëhet më fjalë për palë politike. Nuk bëhet fjalë për sistem politik.


Në pushtet është Edi Rama dhe krimi i organizuar, që mbretëron në emër të tij. Në bashkëjetesë me krimin, ai ka ndërtuar në këto gjashtë vite një sistem monstër pa shembull referimi. Shteti është nën thundrën e krimit, ku paratë, tokat, pronat e pa tundshme, mali e bregdeti ndahen o nga Edi, o me plumba. Institucionet janë zhbërë. Nis kjo zhbërje me Gjykatën Kushtetuese dhe me sulmet ndaj Presidencës së vendit, ku topçinjtë janë Elisa, Taulanti e Ulsiu. Është kryer zhbërja në sistemin e drejtësisë, një administratë që nuk e qeveris vendin me ligje, por me vendime qeverie që i dikton mafia dhe krimi i organizuar nga një sektor në tjetrin. Pushteti i katërt, ai mediatik, ka vetëm një emër, ERTV.


Shoqëria civile më shumë se kurrë në këto 30 vite është shndërruar në një rrospije të bindur të pushtetit. Qytetarët kanë ulur kokën, i janë nënshtruar fatit më keq se nën diktaturën e Hoxhës. Në vend të përballen për të drejtat e tyre këtu, trusen nëpër radhët e emigranteve dhe kur u shpëtojnë gjallë kamionëve frigoriferikë, trimërohen para qeverive të Europës duke lypur të drejtat si emigrantë. Opozita është shpërfillur si asnjëherë. Gjithë kujdesi i shtetit të krimit është të mbjellë aksiomat “s’ka opozitë” dhe “jemi njëlloj”. Gati në kufijtë e të pabesueshmes, njerëzit i bien përditë, mëngjes, drekë e darkë këtij karremi në ujërat e qelbur të propagandës qeveritare se “vendi nuk ka opozite”, “nuk ka kush ta marrë qeverisjen”.

Për fatin e zi të këtij vendi, gjithë këtij përçudnimi i rrinë tek koka si lule varri dhe ca “middlefinger”-a prej Europës sonë të dashur. Në këto kushte, rruga e shpejtë e zgjidhjes se krizës është t’i thërrasim mendjes për një revolucion ndëshkues ndaj këtij përçudnimi si qytetarë të lirë, duke shpërfillur leksionet se të drejtat tona fitohen vetëm me përulësi, e se deri dhe çdo shashkë në protestë na qenka dhunë në përcakimet e “middlefinger”-ave këtej e matanë oqeanit. Ose pastaj le ta presim qetësisht 2021, nëse në këtë shtet të rrënuar do të ketë mbetur më njeri për të votuar, përveç atyre që mbajnë radhë nëpër sportele për të marrë pensionin e muajit e për të vrapuar me të në dorë te farmacia për ilaçet e shtuara.

Që nga dalja jashtë parlamentit, PD-ja e shtriu aksionin e saj opozitar jashtë institucioneve, por a rrezikon ajo të dalë dhe jashtë sistemit?
Për cilat institucione bëhet fjalë? Të bëjmë së pari një marrëveshje fjale e të biem dakord nëse ka institucione më në këtë vend, pastaj të flasim për pjesëmarrje në to. Një parlament i mbushur me kriminelë të drejtpërdrejtë apo me të mandatuar të falangave të krimit të organizuar dhe që pas 30 vitesh mbërrin dhe e drejton ish-ministri i Brendshëm, ai i fundit, ai i viteve kur diktatura në rënie vrau nëpër brezat kufitare e deri në sheshet e protestave që po i sillnin rrëzimin. Ndaj nuk plotëson asnjë parametër e kriter të quhet “institucioni i parlamentit”. Për cilin sistem bëhet fjalë kur s’ka tashmë asnjë ndarje pushtetesh. Pushteti e krimi janë bashkë. Gjithandej janë shtrirë kthetrat e krimit që nuk i friket askujt, nuk ka më asnjë ligj a “rule of law” që u prinë punëve. Rregullat e lojës në demokraci janë zëvendësuar me fjalimet dhe kuisjet e Ramës, Taulantit apo Spiropalit.

Kush ma gjen, ku është sistemi që të marrim pjesë, ku janë institucionet që t’i respektojmë me pjesëmarrje? Në një vend ku shumica politike i miraton ligjet e vendit në thyerje të Kushtetutës dhe vendimet e qeverisë në thyerje të ligjit, opozita mbetet një fasadë kokë e këmbë. Opozita ka shumë detyra e detyrime, ka nevojë të organizohet, të bëjë të qartë vizionin e saj, të forcohet e egërsohet në kuptimin pozitiv të fjalës, por nuk e mendoj kurrë se ia vlen që ajo të jetë fasadë e pushtetit, fasadë e krimit, pjesëmarrëse për t’i zënë karriget me gjoja e sa për hatër dhe të “middlefinger”-ave. Se ndryshe, për hir të këtyre lloj “normash” demokratike i bie që bota euroatlantike t’i marrë këta të MEK-ut aty te udha për në Gjirin e Lalzit e t’i çojë mu në mes të Teheranit të zhvillojnë opozitë brenda institucioneve.

PD po synon reformimin e thellë të sistemit zgjedhor dhe politik, përfshi edhe funksionimin e vetë partive, por çfarë e kthen opozitën në sistem, ndërkohë që një opozitë e re po tenton të lindë brenda Kuvendit?
Kush do ta besojë se në Shqipëri ka gjëkundi ndonjë rrem institucioni, le t’i gëzohet dhe le t’i përmbushë pritshmëritë e tij ose duke pritur datën e pensionit të muajit në vazhdim, ose duke iu turrur emigrimit sapo të ketë një dorë lekësh sa për udhë. Opozita ka lëshuar mbi tavolinë një platformë për rregullat e lojës në zgjedhje. Kryerregulli është se në zgjedhje shkohet mes palëve politike, jo mes një palë politike dhe krimit të organizuar. Nuk është lojë fjalësh, kërkesa e opozitës se në zgjedhje nuk shkohet me Edvin Ramën, për asgjë tjetër, përpos thjesht faktit se ai është dhe fjala dhe melodia e “këngës” së krimit në vend. Sa për sistemet zgjedhore, që nëpër botë numërohen nja mbi 325 të tillë, nga një model tek tjetri, duhet të jemi të qartë se nuk është sistemi në vetvete thelbësor, por vullneti për zbatimin e tij. Secili sistem ka pluset dhe minuset e veta, prandaj ka dhe kaq shumë të tillë. Kush e fut diskutimin në hullinë se sistemi e ka fajin, na fut nëpër thekra që të mos kapemi pas thelbit. Dëgjoj disa të thonë se ky sistemi aktual është sistemi i kryetarëve dhe propagandojnë si etër të demokracisë, një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura. Dakord plotësisht, por vetëm me kushtin e një pragu elektoral prej 5 përqindësh.

Se ndryshe, këta lloj luftëtarësh për demokraci, pa këtë prag elektoral, duke sulmuar sistemin ku gjoja mbretërojnë kryetarët, në fakt i lëpihen një karrigeje për vete duke mbledhur nga ca vota andej këtej. Sa për këtë gjoja opozitën e re që ju thoni se po lind, ka një pikëpyetje të madhe që fshihet brenda errësirës së shpirtit të secilit prej atyre që pranuan ta marrin këtë rol. I njoh disa prej tyre, ua njoh edhe mendjen, edhe dituritë, edhe ambiciet. I kam njohur atëherë kur përbetoheshin si demokratikas, po ja që kanë dalë aty ku duken. Një gjë mund ta them me siguri: asgjë politike nuk ka në lojën e tyre, janë thjesht interesa cinike individuale që për fatin e keq të tyre nuk kanë ditur as si t’i realizojnë. Ose më saktë po i realizojnë në mënyrën më të shëmtuar, duke iu shitur dhe duke i shërbyer një pushteti kokë e këmbë në krim. E pranoj egon e tyre për karrierë, por e quaj të gabuar udhën që kanë zgjedhur për t’i përmbushur interesat e tyre. Interesa të vogla a të mëdha nuk di ta them, por personale dhe të pista e them me siguri. Ata ishin pjesë e një grupimi të caktuar, po i rrëshqitën atij për llogari të vetes.

Përtej 350 vite më parë, themeluesi i filozofisë politike dhe morale angleze, Hobbes, ka qartësuar se përse njerëzit nuk ia dalin të rrinë dot në shoqërinë e njëri-tjetrit as sa bletët dhe milingonat. Janë përfundimet e tij kur thotë se shumë njerëz nuk ia dalin kësaj, sepse janë në garë për ndere e pozita dhe prej këtej lindin zilia, urrejtja dhe lufta. Mirëpo ndryshe nga bletët e milingonat që nuk e kanë artin e të folurit, njerëzit si këta azganë opozitarë, si qenie njerëzore që janë, flasin dhe me anë të të folurit ua paraqesin të tjerëve të mirën të keqe dhe të keqen të mirë. Sa e si dinë të flasin tashmë janë dëgjuar. Kaq mund të arsyetoj për lojën e tyre. Dua të bëj të qartë se s’kam asgjë personale me ta, nuk është vështrimi im, po vetë filozofi Hobbes, katër shekuj më parë, i ka parë këta lloj qeniesh politike si qenie, që ndryshe prej bletëve e milingonave të cilat Aristoteli i quante “krijesa politike”, se si vrapojnë pas të mirave private duke shaluar mbi kuajt e pushtetit.

Si mund të kemi institucionalizim të dialogut mes forcave politike në vend dhe jo dialog për ndarje pushteti?
E natyrshme dhe objektive është që nëse palët politike ulen në dialog, çështjet e pushtetit janë aty mbi tavolinë. Në një dialog politik nuk ulesh për mjegullat. Çështja është se sa ata kanë vullnetin të zhvillojnë përgjegjësitë e tyre programore përkundër rregullave të lojës dhe në shtratin e shtetit të së drejtës. Por edhe njëherë, për të disatën herë, çështja është cila është pala politike me të cilën opozita do dialogojë. Qeverisja e sotme vetëm emrin e ka palë politike, ajo në të gjitha parametrat që i ka shënjuar vetes është kokë e këmbë një organizëm i inkriminuar. Jo opozita po shteti është jashtë sistemit. Pushteti nuk është thjeshtë palë me krimin, është krimi vetë. Analizoni emrat e deputetëve, të ministrave, të drejtorëve, të bandave të krimit, të krimit të rrugës, të trafikantëve dhe analizoni po ashtu ngjarjet e përditshme në jetën e vendit për të parë nëse e gjeni kund tjetër pushtetin përveçse në prehrin e krimit.

A mund të vihen bazat e një pakete të përgjithshme për zgjidhjen e krizës politike në vend, pjesë e së cilës sipas liderit Basha është edhe reforma zgjedhore, në kuptimin e forcimit të elementeve ligjore të saj, që lidhen me administrimin, numërimin dhe sigurinë e votës?
E para, natyrshëm është çështja e zgjedhjeve dhe opozita i mëshon kësaj, sepse e sheh këmbimin e pushteteve përmes votës së lirë dhe të drejtë si të vetmen udhë demokratike të rrotacionit politik. Por një paketë e plotë si një garanci e ndryshimit të nesërm mendoj se është themelore. Duhet menduar jo për një program politik të radhës. Kaluan tashmë 30 vite dhe ne kemi detyrimin të ndërtojmë një program mbi analizën e tri dekadave. Përgjithësisht ne kemi aplikuar një pushtet autoritar, me një lider të fortë, pa ose me ndarje të dobët pushtetesh. Dhe sot jemi këtu ku jemi. Për shumë kohë unë kam bërë pjesë tek ata që kanë menduar se vendit që të dalë nga një diktaturë e pazakontë dhe izoluar thellë ndaj Perëndimit e demokracisë i duhet një dorë e fortë për të dalë nga tranzicioni. Aq thellë e ngulitëm këtë sa për gjithë këto tri dekada më shumë se sa si një republikë parlamentare, ne jemi shfaqur si republikë qeveritare, herë-herë dhe si kryeministrore apo presidenciale. Momenti është të shkojmë në një sprovë tjetër, që nuk duhet menduar as e lehtë dhe as që vjen vetiu.

Lideri i opozitës e ka për detyrim t’u dalë shqiptarëve me një paketë të qartë të ndarjes dhe balancimit së pushteteve. Me një parlament pse jo dhe me dy dhoma, por i konceptuar e zhvilluar jo si një zgjatim rudimentar i qeverisë. Parlamenti s’duhet të jetë si oborr i pasëm i kullës qeveritare, oborr për hargalisjet e zotëruesve të kullës. Me një president me të tjera kompetenca e me mundësi kushtetuese për t’u treguar vendin palëve kur i mbyt deliri i pushtetit. Me një drejtësi realisht pushtet të tretë. Me një program, ku media dhe shoqëria civile të mos kenë në hundë çengelin e hekurt të pushtetit. Me një program liberal ekonomik ku konkurrenca të jetë promotori i zhvillimit, ku biznesi i vogël të ketë liritë maksimale dhe të “vizitohet” nga tatimorët e shtetit veç një ditë në vit, ku biznesi i mesëm si gjenerator i zhvillimit të gjejë mbështetjen dhe jo hurin e shtetit e të shtetarëve dhe pastaj me një premtim të qartë se vijmë në pushtet për të treguar se biznesi i madh dhe oligarkët janë dy gjëra të ndryshme si dita me natën.

Përse zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme?
Janë të paevitueshme nëse mendojmë për të mirën e vendit. Për të gjithë ata që duan ta çojnë në mandat të plotë këtë lloj qeverisjeje nuk kam fjalë. Më keq e më zi nuk ka ku të shkojë, një ditë më parë, më mirë për vendin. Varfëri e diktaturë shteti në sistemin e shkuar, varfëri e diktaturë që pjell simbioza e krimit me pushtetin në ditët e sotme. Ne qytetarët e këtij vendi duhet ta kemi si fryma që marrim këtë kërkesë, ndryshe le të presim radhën të gjithë ne që do mbetemi këtu deri në atë ditë zgjedhjesh.

Çfarë garancie do të ketë PD për mosdeformimin e votës së lirë?
Me vullnet politik, mes palësh politike, e gjitha është e mundur. Me krimin në pushtet duhet ta harrojmë mosdeformimin e votës.

Ndërprerja e protestave, mendoni se e largoi opozitën nga 70 mijë qytetarë, të cilët protestuam kundër Edi Ramës?
Nuk e mendoj kështu. Jam mbështetës për çdo protestë që lexohet, apo për çdo protestë që qytetarët e përshkallëzojnë deri aty ku shurdhëria e pushtetit bëhet befas me veshë të hollë dhe detyrohet të dëgjojë. Protestat për protestë, sidomos para një qeverisje pa sy e pa veshë janë asgjë më shumë se sa një komoditet për pushtetin. Protestat për protestë bëhen amnistuese të pushtetit, i cili shet veten si një qeverisje demokratike, si një rend e sistem ku njerëzit dalin në rrugë për të drejtat e tyre dhe kaq.

A është gati PD-ja dhe strukturat e saj për të fituar përballë Edi Ramës kurdo që të ketë zgjedhje, normale apo të jashtëzakonshme?
E sigurt që po. Por jo pa më shumë punë, organizim, zhvillim përgjegjësish dhe përcaktim kapacitetesh njerëzore që e mundësojnë këtë. Dhe pse një maskaradë alla-shqiptare, dita e 30 qershorit e tregoi në dritë të diellit refuzimin ndaj qeverisjes së Edit, Taulantit, Elisës dhe llojit të tyre në skenë dhe emrave të krimit në prapaskenë. Njësoj si në teatrin e kukullave me zë, me lëvizje dhe me figurë.

Opozita kërkon qeveri tranzitore pa Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me ato lokale. Sa të mundshme janë ato kur Edi Rama ka bërë të qartë se mandati i tij do të mbyllet në vitin 2021?
Nëse opozita dhe përtej saj qytetarët e këtij vendi pranojnë të shkojnë në zgjedhje që i organizon kjo qeveri e ulur në prehër të krimit, na mbetet t’i themi vetes për hajër na qoftë rikthimi për së treti në këtë diktaturë të ngjyrosur në dukje, po në thelb ku e ku më perverse se ajo që lamë prapa tri dekada më parë, ku rregullat e lojës i përcaktojnë krimi, mafia dhe oligarkët.

Partitë aleate i kanë kërkuar liderit Basha që të nisë procesin e bashkimit të kontributeve ndër vite që t’i bashkohen opozitës në betejën kundër qeverisë Rama. Kujt i drejtohet konkretisht kjo thirrje…?
Kjo nuk është një thirrje që liderit të PD-së i ka ardhur nga jashtë. Ka kohë që qartësisht janë hedhur hapa organizativë për të bashkuar gjithë kontributet dhe kapacitet njerëzore ndër vite të PD. Dhe nuk është vetëm pohimi publik i këtij objektivi, apo udhëzimet organizative të lëshuara për këtë çështje. Dua të them pa përmendur emra të përveçëm, sepse secili flet vetë për veten. Kohët e fundit unë kam qenë pjesë në tavolina diskutimi me emra të njohur si kritikë të Bashës, tavolina të drejtuara nga vetë Basha.

Procesi i zgjerimit të PD duket se zhvillohet në mënyrë sporadike, madje sa herë që opozita ka nevojë për bashkimin e kontributeve ndër vite…?
E kuptueshme është të ketë cikle organizimi të tilla sa kohë që partitë politike e zhvillojnë jetën e tyre kryesisht si subjekte elektorale. Por nga jeta ime politike e këtyre 30 viteve, pa asnjë ditë jashtë forcës politike me të cilën jam bashkuar në dhjetor 1990, e kam një konkluzion: secili e zgjedh vetë rrugëtimin e tij politik, secili ia bën vetë vetes vendin aty. Po prite të angazhohesh apo të të angazhojnë vetëm kur nis e fryn era e pushtetit, shndërrohesh në një politikan si vetë era. E kam të provuar vetë, e për këtë nuk më vlen opinioni i askujt tjetër, se në një formacion politik aq sa punon, po aq, e në mos më shumë vlerësohesh. Jo se nuk ka katapultime, por ato janë të përkohshme, u zhduket fara kollaj. Në jetën politike në PD e kam të provuar se kush ka dashur të jetë pjesë, kurrë nuk është larguar me pahir. Kush i ka dashur dyert e dritaret hapur, për të hyrë e për të dalë, e ka marrë ndonjë të ftohtë që më pas i ka kushtuar. Kush ka ardhur me mendjen “hajde, merr dhe ik” ka bërë ndonjë prokopi për vete, po e ka të cungët biografinë politike. E gjithsesi më të bashkuar, me shumë dhe për më shumë përgjegjësi kemi nevojë. Në fund të fundit çdo betejë elektorale shndërrohet në numra.

A ka vend në PD për kritikët e Lulzim Bashës për hir të kalimit të Edi Ramës në opozitë?
Për cilindo që e ndjen dhe do seriozisht që Shqipëria të mos vazhdojë lëngatën nën një qeverisje kaq të inkriminuar, vendin e ka në kampin e madh të opozitës pa e lidhur atë me emrin apo emrat e liderëve. Liderët janë kalimtarë, besimi i brendshëm dhe kredoja politike e secilit nuk ikën me liderin, ikën me vetë mbartësin e kësaj kredoje. Dhe dua ta them me zë të lartë se natën me njërin dhe ditën me tjetrin mund të funksionojë si kulisë pushteti, po ka zero peshë në lojën e ndershme të betejës politike.

Vetë PD-ja është solide brenda saj në betejën për largimin e Ramës?
E pashmangshme, sidomos për një forcë të së djathtës në politikë, është mospasja e zërave ndryshe. Vetë udhët për objektivin politik dhe elektoral janë të shumta, të tilla janë edhe idetë dhe mendimet. Kur konvergojnë në të njëjtin program dhe në të njëjtin objektiv, asgjë nuk është për t’u shqetësuar. është tjetër gjë nëse e përdorim podiumin e fjalës si një të drejtë të përgjithshme, për ngucjet dhe interesat tona thjesht personale.

Si e shikoni drejtimin e opozitës nga Lulzim Basha në përballjen me mazhorancën e majtë?
E mendoj si një politikan të brezit të ri, me një qasje krejt ndryshe nga ajo që kemi parë në karizmën e liderëve të këtyre tri dekadave në Shqipëri. Me një stof më europianist. Me ambicie dhe përkushtim, të cilin duhet ta kanalizojë më shumë jashtë kompleksimeve të momentit. Është ende shpejt për ta mikluar me epitete vlerësuese, është në nisje të rrugëtimit të tij për të treguar deri ku do të mbërrijë me qeverisjen e mirë. Mendoj se duhet të lexojë çfarë janë gabimet në rrugëtimin e tij të deri sotëm, sepse nuk është jashtë gabimeve dhe besoj se dhe ai vetë e di këtë. Por për mua, e papranueshme mbetet ngritja e qëllimtë, me investim të fortë qeveritar, i një rrethi të hekurt izolimi absurd me tezën e kudombjellë se demokratët nuk ia dalin dot me Bashën. Kush përtyp tavolinë më tavolinë këtë tezë ka vetëm një qëllim, t’i japë edhe një dorë Edi Ramës./GSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb