Vizita e fundit e shefit të CIA, Ambasadorit Burns flet për interesimin e ShBA-së për rajonin karshi gjeopolitikave invers divergjente me atë Perëndimore. Njëkohësisht kemi dëshmuar paraqitjet e zëdhënësit të BE-së Stano i cili insiston që hapja e urës duhet të jetë e koordinuar. Po ashtu, Ambasadori gjerman, Rode deklaroi se ura nuk është në rend të ditës.

Thirrja e radhës nga Brukseli për takim të palëve në dialog duhet kundruar si një koncept për bashkëpunim racional karshi konceptit iracional të eskalimit apo konfliktit, në një rajon të rrezikut dhe kërcënimeve për sigurinë e përbashkët rajonale.  Kjo do të thotë zëvendësimin e status quo-së me kaos!

Mendoj se deklaratat e shpeshta dhe lojërat rreth srabilitetit teknik të urës dhe për hapjen e urës nga ana e qeverisë, nuk janë serioze, dhe nuk kanë të bëjnë me implementinin e marrëveshjeve të dialogut 2016. Kjo retorikë insistuese, elektorale, ka sjellë relacionet me SHBA dhe BE në shkallën më të ulët të relacioneve ndërkombëtare të Kosovës.

Dihet mirëfilli se Serbia e cila po tërheq zvarrë dialogun këtë e ka si qëllim në vetvete. Dialogu, edhe ashtu i bllokuar, me kërcënimin e Serbisë për braktisje të negociatave, me një veprim të pamenduar, kokëfortë, të pakoordinuar me Quint-in, do të përjetojë “vdekje klinike”, nëse lejohet që të hapet ura. Hapja e urës edhe ashtu nuk paraqet ndonjë levërdi ekonomike apo çfarëdo tjetër për qytetarët e të dy brigjeve të Ibrit. Përkundrazi mund të shkaktoi ndonjë eksces të porositur dhe mbylljen e radhës nga ana e KFOR-it, e që mund të pasojë me një realitet të ri në veri.

Pezullimi i dialogut asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk ka sjellë beneficione Kosovës. Kemi vërejtur se pauzat në mes fazave të dialogut ka keqësuar veprimet në terren si në aspektin e sigurisë, ashtu dhe në aspektin ndërkombëtarë. Serbia ka ndërmarrë veprime në drejtim të pezullimit të njohjeve dhe çnjohjeve nga vendet me interesa të papërfllshme bilaterale, si dhe agresion diplomatik në drejtim të krijimit të kushteve për mos anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Madje edhe në nismat rajonale në të cilat Kosova merr pjesë bazuar në Marrëveshjen e vitit 2012, Serbia vepron si palë jo-konstruktive. Por jo-konstruktiviteti i Kryeministrit Kurti në lidhje me (mos) implementimin e pikave të Marrëveshjes 2023, pra fillimi inprocedurës përmes dërgimit në Gjykatë Kushtetuese të draft Statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe të Kodovëd, shkaktoi humbjen e shansit ideal të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ashtu siç ndodhi me UNESCO, kur u anashkaluan Japonia me përfaqësim diplomatik në Tokio, Korea Jugore me mbulim jo adekuat diplomatik nga Tokio, si mospërfillje e sentimentit historik dhe politik, si dhe Polonia shtet me përmasa gjeopolitike, gjrostragjike dhe ekonomike të cilat Kosova ka dështuar ti analizoj mirëfilli.

Mos zbatimi i Marrëveshjes 2023 për të cilën kryeministri Kurti është dakorduar në Bruksel, gjegjësisht në Ohër, e kjo vlen edhe për Presidentin e Serbisë Vuçiq, lejon hapësirë për deklarata dhe veprime iracionale, për çka ditëve të fundit dhe ditëve në vijim kemi dëshmuar dhe do të shohim fluks vizitash diplomatike në Prishtinë.

E, këto vizita nuk kanë të bëjnë me çfarëdo avancimi të Kosovës në aspektin zhvillimor apo ndërkombëtar, por e trajton atë si subjekt, nëse jo objekt potencial të sigurisë rajonale.

Vazhdimi eventual i dialogut nga të dy palët, që u treguan jo konstruktive në pranimin dhe implementimin e saj, mund të vazhdojë për të arsyetuar vazhdimin e mandatit të Lajçakut, si dhe për të blerë kohë deri në konsolidimin e lehtësuesit të ri të …, zgjedhjen e presidentit të ri të SHBA-së, dhe zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës.

Apo në ndërkohë, “këshillat miqësore”, kanë ngushtuar hapësirën e manovrimit, ashtu që do të kemi së shpejti rezultate konkrete drejt implementimit të Marrëveshjes 2023?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: