Shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka konfirmuar se gjatë muajit të ardhshëm do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë për të përcjellë mesazhin se palët duhet të angazhohen në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Kjo do të jetë vizita e saj e parë në dy vende ku funksioni i saj aktual kërkon angazhim aktiv, në përpjekje për të zhbllokuar procesin e dialogut, i cili ka stagnuar që nga koha kur paraardhësi i Kallasit udhëhiqte këtë proces.
“Dhe më në fund, për Serbinë dhe Kosovën, është e qartë se normalizimi i marrëdhënieve të tyre është me rëndësi të madhe, dhe për këtë arsye dialogu Beograd-Prishtinë duhet të vazhdojë. Ne kemi emëruar një përfaqësues të ri special për dialogun Beograd-Prishtinë, dhe unë gjithashtu do t’i vizitoj vendet më vonë në maj”, deklaroi Kallas.
Në një konferencë për shtyp pas takimit të ministrave të jashtëm të 27 shteteve anëtare të BE-së, Kallas konfirmoi se është diskutuar edhe për situatën e sigurisë në rajon, duke pranuar se rrethanat aktuale nuk janë të favorshme. Ajo theksoi rëndësinë e avancimit të procesit të zgjerimit, sepse, siç tha ajo, “Brukseli ka nevojë për histori suksesi.”
Kallas gjithashtu bëri të ditur se disa ministra kanë shprehur shqetësim lidhur me plane të politikanëve nga rajoni për të udhëtuar në Moskë muajin e ardhshëm dhe për të marrë pjesë në ceremoninë e 9 majit të organizuar nga Kremlini. Ajo theksoi se çdo pjesëmarrje në parada apo festime në Moskë nuk do të mirëpritet nga BE.
“Ne e bëmë shumë të qartë se nuk duam që asnjë vend kandidat të marrë pjesë në këto ngjarje më 9 maj në Moskë. Pra, mesazhi ynë është shumë i qartë”, theksoi ajo.
Në takimin ministror, shefat e diplomacive të vendeve anëtare shprehën shqetësim për gjendjen e paqëndrueshme në rajon, veçanërisht në Bosnjë e Hercegovinë. U diskutua gjithashtu edhe për masat ndaj Kosovës dhe për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.
Megjithatë, u dëshmua se mes vendeve anëtare nuk ka pajtim as për sanksionimin e Dodikut, e as për heqjen e masave ndaj Kosovës, ndonëse ish-shefi i diplomacisë evropiane kishte bërë një rekomandim në këtë drejtim që në qershorin e kaluar.
(BalkanWeb)