Në emisionin “Open” në News24 me gazetaren Eni Vasili, po diskutohet në lidhje me takimin e mbajtur dje në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Temë e takimit të djeshëm ishte propozimi franko-gjerman dhe në përfundim të saj nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje.

I ftuar në studio, analisti Fatos Lubonja ka deklaruar se propozimi europian mbart disa probleme në vetvete, ndërsa të gjithën e përktheu si vijim i një konflikti të ngrirë dhe imponim nga ana e BE referuar kushteve gjeopolitike dhe luftës në Ukrainë.

“Refuzoj termin tradhtar apo hero për Kurtin. Janë kategori patetike, këtu jemi në politikë dhe politika është arti i të mundshmes.

Marrëveshja mendoj që ka probleme që tek ata që e kanë propozuar.
Është propozuar tani që është lufta në Ukrainë për shkak të rrezikut të hapjes së një konflikti që Europa nuk e do. Kanë punuar shumë pak dhe e kanë zvarritur më parë këtë problem. Nuk kanë imponuar për diçka thelbësore. Duam që popujt të jetojnë në paqe, të jenë të aftë të dialogojnë, pra nuk janë përfshirë popujt në një proces të gjatë që është edhe kulturor. Tani imponohen dhe gjërat e imponuara kanë problemet e veta.

Nuk jep asnjë garanci në kuptimin e në të ardhme. E shoh si vijim i një konflikti të ngrirë, sa kohë nuk shoh dy popujt të pranojnë kulturalisht ato që thonë europianët.

Kemi një plan europianist dhe një nacionalist që ecin paralelisht. E shoh si zgjatim i një konflikti të ngrirë por më mirë kjo se situata e krijuar më herët me serbët që çuan në veri ushtrinë, që mendoj se kishte për qëllim krijimin e një situate të tillë dhe përfitime”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb