Analisti Finsik Halimi, ka thënë se për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi janë duke u bërë shumë lojëra. “Nëse e shohim se Matthew Palmer dhe Aleksandër Vuçiç nuk janë partner gabohemi rëndë. Gabohemi rëndë nëse mendojmë që ne jemi miq të amerikanëve dhe serbët janë armiq”, ka thënë Halimi.
Në Analizën Zgjedhore në Klan Kosova Halimi ka thënë se kaherë është shprehur pro shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. “Kurti dhe garda e ekspozuar e LDK po luajnë lojë të rrezikshme që t’i bishtnojnë SHBA-të me shpresën që zoti Trump do t’i humb zgjedhjet. Është një fjali e përsëritur shpesh nga Palmer ‘që SHBA-të kanë urgjencë dhe çështja është gjeopolitike’, atëherë ne kemi një Qeveri në ardhje që do të bëjë gabim fatal”, tha ai.
“Me SHBA nuk jemi vëllezër e motra, por partner të pabarabartë. SHBA kanë prishur partneritet që prej Venezuelës, Afganistanin e kanë çliruar dhe pastaj e kanë bombarduar. Duhet parë seriozisht këtë punë. SHBA po e përmbyll gjeografinë, po krijon mezhdat e veta. Unë preferoj shkëmbim territoresh, mos të bëhet, por le të mbyllet marrëveshja sepse ne po pësojmë në pafundësi. Është në lojë, ajo do të ndodhë”.
Halimi ka thënë se marrëveshja është e mundur nëse bëhet me ndarje etnike. “Kemi pasur përafrim, besoj se ajo marrëveshja ka kaluar, nuk ka këtu opsione tjera. Liria na varet direkt nga prania amerikane. Kush na garanton neve që nesër Serbia nuk bëhet pjesë e NATO-s? Nëse Serbia e tradhton Rusinë kësaj radhe e tradhton në shpinën tonë. Pavarësia nuk është e përjetshme, ndodh okupimi që habitesh. Siria ka qenë me paqen më të qëndrueshme në rajon, në Ukrainë kanë ndërruar gjërat. Nëse dikujt i ngutet jemi ne dhe e kemi opsionin që po kalon nëpër parime nacionaliste. Shkëmbimi i territoreve do të ndodhë”, tha Halimi.