TIRANË – Bojkoti i Kuvendit dhe për ç’arsye vazhdon ky bojkot ka çuar në një komunikim në distancë të Kryeministrit Rama me Kryetarin e PD-së Basha, natyrisht pa iu drejtuar njeri –tjetrit, por të tretëve, fansave, që i ndjekin në FB.

“S’ështe puna vetëm se nuk e justifikon kush bojkotin, po as kupton njeri ç’kërkojnë pasi kanë folur sa kanë dashur e kanë marrë ç’kanë kërkuar!” – shkruan Rama në Twitter.

Pak minuta më pas, Basha është përgjigjur, duke iu drejtuar miqve në Fb dhe indirekt, Ramës, se problemi qëndron, veç të tjerave, tek prania ende në Kuvend “e përfaqësuesve të krimit të organizuar, trafikantëve dhe vrasësësve, që i bëri deputetë.”

“Nuk u mjaftua me asgjesimin e çdo hapësire institucionale për opozitën, – shkruan ai,- që të bënte detyrën e saj në Kuvend siç e ka me ligj e Kushtetutë. Jo, jo, nuk u mjaftua me dhunimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese! Kur opozitës i mbeti vetëm fjala, ky që dje u shiste dokrra, Schultzit e Weberit, vërsuli mbi deputetët tanë përfaqësuesit e krimit të organizuar, trafikantët dhe vrasësit që i njeh Brukseli me emer e me dosje e që ky i bëri deputetë,” – nënvizon Basha.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: