BEOGRAD- Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç deklaroi sot se Beogradi do të vijojë të këmbëngulë për zgjidhjen e të gjitha problemeve me Prishtinën. Vuçiç theksoi se kjo gjë është me rëndësi për një jetë më të mirë për serbët dhe shqiptarët.

“Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim për dialog dhe për zgjidhje të problemeve në qarkullimin e lirë të mallrave e të njerëzve, për shkak se ka hapësirë për biznesin serb në çdo vend të Kosovës e jo vetëm atje ku jetojnë serbët”, tha për Tanjug Vuçiç. Ndër të tjera ai shtoi se ka hapësirë edhe për shqiptarët për të zhvilluar biznes në gjithë territorin e Serbisë.

Vuçiç pohoi se për këtë arsye e kanë habitur deklaratat që kanë ardhur nga Prishtina pas raundit më të ri të dialogut Beograd- Prishtinë, sepse, sipas tij, nuk kanë shumë lidhje me realitetin.
“Kanë folur disa gjëra që fare nuk kanë ndodhur në bisedimet tona. Nëse kjo dikujt i pëlqen, le ta bëjë këtë, por ajo nuk ka shumë lidhje me realitetin”, ka thënë Vuçiç.

Sipas fjalëve të tij, është e qartë se “disa nga ata” nuk mund të tërhiqen nga problemet ditore politike dhe kokën e kanë më shumë te disa zgjedhje të ardhshme se sa në zgjidhjen aktuale të problemeve. Sakaq, Vuçiç ndër të tjera shpreson që kjo të tejkalohet dhe që sërish do të bisedohet për temat me rëndësi për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: