Guvernatori i Bankës Qendrore në Kosovë, Fehmi Mehmeti, në një intervistë për mediat kosovare u shpreh se Diaspora është një aset shumë i rëndësishëm për Kosovën, ndërsa tha se vetëm në 2018 ajo ka kontribuuar në ekonomi me 1,8 miliardë euro.

“Po flas me të dhënat e vitit 2018, 800 milionë euro ka qenë vlera e remitencave që kanë hyrë në Kosovë, me një rritje vjetore prej 5.5 për qind. Një ndër faktorët kryesor për rritjen ekonomike janë remitancat. Përveç linjës zyrtare që kanë ardhur, ne e kemi edhe një zë që quhet shpenzimet e udhëtimit që kryesisht realizohen prej jorezidentëve, që në këtë rast janë realizuar nga bashkatdhetarët tonë që është rreth 1 miliard euro, që do të thotë janë 1 miliard e 800 milionë euro për vitin 2018”, tha Mehmeti, shkruan Telegraf.

Guvernatori pohon se remitancat janë një e hyrë pozitive në ekonominë e Kosovës.

“Remitancat janë një ndër financuesit kryesorë të rritjes ekonomike. Është fakt që pjesa dërmuese e këtyre remitancave që shkojnë për konsum, që një mënyrë indirekte ndikojnë në rritjen ekonomike, mirëpo është mirë që të adresohet kjo çështje prej konsumit tek investimet”, ka thënë Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb