DIBER- Rreth 200 socialistë dibranë kanë vendosur ti’ bashkohen sot PD. Vendimi është bërë i ditur në një takim të organizuar në Pallatin e Kulturës në Peshkopi, ku i ftuar ishte dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha. Duke shprehur zhgënjimin e madh për partinë e tyre, braktisjen dhe mashtrimin ata kanë grisur në mënyrë simbolike teserat e PS. Socialistët dibranë thonë se “Edi Rama i ka harruar socialistët. Ata enden rrugëve të papunë, pa bukë, ndërsa pasurohen vetëm një grusht njerëzish”.

Kirurgu Bashkim Murati tha se “Nuk është Dibra vendi që udhëhiqet nga injorantë si ata që ka vendosur Edi Rama të përfaqësojnë zonën”.

“Takim për të shprehur një zemërim popullor dhe socialist. Lidhur me mbarëvajtjen e PS e cila për hir të së vërtetës me marrjen e pushtetit në 2013 dhe në 2015 me elektoratin e vet po vjen duke u distancuar duke mos e dëgjuar duke mos kryer ato halle që kanë”, u shpreh Ramazan Kaziu.

“Ne jemi në prag të një votimi të rëndësishëm. Kryetari i bashkisë është shumë i rëndësishëm në jetën e një bashkie. Sherefedin Shehu është profesionit, ekonomist, administrator. Jam i bindur se ky burrë që ka sjellë PD do t’i menaxhojë siç duhet problemet e Dibrës. Mos të zhgënjehemi më me këto premtime boshe. Do bëjmë Rrugën e Arbrit, do bëjmë asfaltime të tjera, etj. Këto premtime janë bërë dhe më parë nga PS po asgjë nuk është bërë. Shpresoj që fitorja e Sherefedin Shehut do të jetë shumë e madhe dhe jam i bindur se nuk do të na zhgënjejë. Nëse po ë krijojmë këtë distancim dhe zhgënjim për partinë tonë e themi se nuk na dëgjon i ka lënë socialistët rrugëve pa bukë, pa punë. Zoti kryetar (Lulzim Basha) po të them dy fjalë se je një djalë i zgjuar i thjesht me këmbë në tokë dhe jam i bindur se nuk do të na zhgënjesh si kryetari ynë ( Edi Rama)”, u shpreh një tjetër.

“Jam anëtar i PS, i zgjedhur disa herë në struktura. Dhamë kontributin tonë maksimalisht. Ata zunë karriget dhe nuk pyeten për ne. Duke parë se kryesia e PS u distancua nga ne, dhe ne të mbetur rrugëve pa shpresë do distancoheni prej saj. Distancimi im do të jetë në këtë moment”, tha Remziu.

DIBËR, BASHA-SOCIALISTËVE: SOT ZGJODHËT TË MOS HESHTNI DHE IU BASHKUAT NJË KAUZE TË DREJTË
Pasi ka dëgjuar arsyet që çuan këta socialiste drejt vendimit për të djegur teserat e tyre dhe për t’iu bashkuar PD-së, Basha tha se problemet që shprehin sot dibranët, janë të pranishme sipas tij në gjitha vendin.

“PD mes aleancës me një tufë horrash dhe banditësh për të ardhur në pushtet do të zgjedhë gjithmonë aleancën e duhur, me shqiptarët e ndershëm me socialistët e ndershëm. Sot na bashkon një hall i madh që ka kapur jo vetëm degën e socialistëve të Dibrës por anembanë Shqipërisë. Sepse një grusht njerëzish, jo socialistët, vendosin kush do punësohet, kush merr tendera, kush merr pasuritë e shqiptarëve. Sepse të gjithë e dinë që Muharrem Rama nuk është kandidat i PS, po i një allishverishi që dorëzon me letra 50% te pushtetit. E nesër do jetë 60 apo 70 %, derisa ta marrin në dorë bandat kriminale. Qindra socialistë na kanë çuar mesazhe ku na bëjnë me dije se do të bashkohen si shqiptarë rreth kandidaturës së Sherefedin Shehut për t’i dhënë Dibrës menaxherin e duhur dhe për të mos e lënë në dorë të bandave. Politika që e trajton Shqipërinë si plaçkë për ta ndarë me një grusht banditësh dhe kriminelesh nuk është rruga e shqiptarëve. Sot ju zgjodhët të mos heshtni, por të flisni me zë të lartë për t’ju bashkuar një kauze të drejtë që nuk është e majtë e as e djathtë, por është kauza për kthimin e Dibrës dibranëve, dhe kjo me kryebashkiak Sherefëdin Shehun”, u shpreh kryedemokrati Basha.

Kandidati për kryetar Bashkie, Sherefedin Shehu theksoi se përpara se të mendojmë për partitë tona më shumë duhet të mendojmë për Dibrën, pasi përpara se të jemi anëtarë partie jemi dibranë. Dibrën mund ta ndryshojmë duke patur një aleancë me qytetarët e Dibrës dhe jo mbështetjen e vetëm një partie politike.

“Për mua ishte një surprizë që të ndodhesha këtu përpara këtyre përfaqësuesve, këtyre njerëzve që në radhë të parë kanë Dibrën, por natyrisht që kjo përbën një moment të rëndësishëm për këtë fushatë që kemi nisur. Ky është momenti kur unë dhe PD duhet të mendojmë dy herë për Dibrën dhe jo një herë siç thonë të gjithë që do të bëjnë më të mirën për të. Dhe sot po kuptojmë të gjithë më shumë, meqë këtu flitet më shumë për Dibrën, flitet për interesa që shkojnë përtej partive politike. Natyrisht të gjithë biem dakord, që ne përpara se të jemi anëtarë të partive politike ne jemi qytetarë të Dibrës dhe përpara se të mendojmë për partitë tona, më shumë duhet të mendoojmë për Dibrën. Dhe PD ma dha këtë mandatim për të kërkuar detyrën e kryetarit që bashkë me ju të ndryshojmë Dibrën. Por Dibrën mund ta ndryshojmë vetëm duke qenë së bashku, duke pasur një aleancë me qytetarë të Dibrës dhe jo vetëm mbështetjen e një partie politike”, tha Shehu.

Sipas tij, koalicioni i Partisë Demokratike është rritur. “Por me këtë të sotmen e shikoj edhe si zgjerim të aleancës së saj me qytetarët dhe e shikoj si një nismë, si një fillim të ri për ndryshimin e Dibrës sot dhe të Shqipërisë nesër. Dhe Dibra do të qeveriset nga kjo aleancë e të gjitha fushave, por edhe të gjitha aspekteve politike. Çdo gjë që është për Dibrën do të dalë përtej kornizës politike dhe kjo është garancia që unë kam për ju. Ne do t’i rikthejmë Dibrës së bashku dinjitetin. Ne do t’i rikthejmë Dibrës universitetin”, tha Shehu.

REAGON SHTABI I ASHE: SHFAQJE E SHEMTUAR
Shtabi Elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” përgënjeshtron lajmin për largimin e 200 anëtarëve nga strukturat e Partisë Socialiste në drejtim të PD.

“Asnjë anëtar i Partisë Socialiste nuk është larguar në drejtim të Partisë Demokratike dhe e gjitha është një shfaqje e shëmtuar me njerëz të importuar nga jashtë Dibrës, me synim dezinformimin e qytetarëve pak ditë përpara zgjedhjeve të 11 Shtatorit. Përdorimi i manovrave të tilla nga Partia Demokratike veçse fyejnë popullin dibran dhe nuk mund të kenë asnjë efekt elektoral”,- thuhet në reagim.

Sipas ASHE-së, “edhe fushata elektorale e ka provuar se kandidatura e doktor Muharem Ramës arrin të sigurojë mbështetje nga e majta dhe e djathta. Fakt që do të provohet nga vota e kësaj fundjave. Qytetarët e Dibrës e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre për të votuar masivisht në 11 Shtator për kandidaturën e doktor Muharem Ramës”.

(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: