Nga LORENC RABETA*

“Gazeta Shqiptare” publikon sot 1100 dosjet që shtrihen në Dibër, Burrel, Bulqizë, Mat, Klos e Ulëz. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka zbardhur të gjitha vendimet e marra për pasuritë e paluajtshme në Dibër, Burrel, Bulqizë, Mat, Klos e Ulëz që nga viti 1993.

Si rezultat janë dixhitalizuar dosjet që përmbajnë veprimet e njohjes, kthimit, kompensimit dhe vendimet e gjykatave për më shumë se 1100 prona në gjithë qarkun e Dibrës. Secila nga dosjet që gjendet në arkivin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave përmban tashmë datën e regjistrimit, emrin e subjektit të shpronësuar, si dhe të atyre që i pretendojnë këto prona, sipërfaqet e njohura për kthim dhe ato të kthyerat, vendimet e gjykatave si dhe problematikën e secilës dosje. Ajo që bie në sy është se një numër i madh dosjesh kanë problematika, të cilat nisin nga mungesa e dokumentacionit, deri te mungesa e një vendimi zyrtar lidhur me to.

REGJISTRI
Zbardhja e plotë e numrit të dosjeve ka ardhur si pasojë e krijimit të Regjistrit Themeltar të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipas AKKP regjistri përmban të dhënat e dixhitalizuara të të gjitha dosjeve të arkivës së AKKP, por edhe regjistrimin e të gjitha vendimeve të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit – Zyrave Rajonale te Kthimit dhe Kompensimit si dhe gjatë procesit të regjistrimit të vendimeve janë zbuluar plot 5457 dosje të cilat qenë arkivuar, por nuk qenë marrë asnjëherë në shqyrtim nga AKKP.

Regjistri përmban gjithashtu edhe të dhënat mbi sipërfaqet e kthyera dhe sipërfaqet e kompensuara në rastet e dosjeve me vendime; Llojin e pasurisë së pretenduar – njohur- kthyer dhe kompensuar. AKKP ka përfunduar evidentimin dhe regjistrimin e çdo informacioni gjatë procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës, duke krijuar për herë të parë një databazë të plotë elektronike, “Regjistri Elektronik” për të gjitha dosjet që janë trajtuar me vendime nga ish-KKKP, ZRKKP apo AKKP. Ky regjistër i vendimmarrjes 23-vjeçare ishte produkt i dixhitalizimit të arkivës së AKKPse dhe skanimit të të gjithë vendimmarrjes përkatëse gjatë këtyre viteve.

(Botuar në numrin e sotshëm të “Gazetës Shqiptare” print, aty gjeni listën e plotë)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: