Brenda 12 orëve të fundit janë arrestuar 2 persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale ne qarkun e Dibrës.


Në Mat, ka rënë në pranga një shtetas në kërkim, i cili rezulton të jetë pjesëtar i një grupi që kryenin vjedhje automjetesh në Tiranë, ndërsa në Bulqizë është prangosur një shtetas në kërkim i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.


Të arrestuarit janë Gentjan Ahmetsulaj, 39 vjeç, banues në Burrel, Bashkia Mat, i dënuar disa herë për vjedhje dhe Jurgen Balliu, 23 vjeç, banues në fshatin Sopot, Bulqizë.


Njoftimi i Policisë: 

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit nr. 3 Tiranë, u bë e mundur që të kapet dhe ndalohet shtetasi i shpallur në kërkim :

Gentjan Ahmetsulaj, 39 vjeç, banues në Burrel, Bashkia Mat, i dënuar disa herë për vjedhje. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi dyshohet së në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë të arrestuar para 2 javësh, funksiononin si grup duke kryer aktivitet kriminal në fushën e vjedhjeve të automjeteve në qytetin e Tiranës, dhe më pas i sillnin në qytetin e Burrelit.

Si rezultat i një pune hetimore të pandërprerë, u arrit të kapet dhe ndalohet shtetasi G.Ahmetsulaj, i cili iu dorëzua shërbimeve të Policisë Tiranë për hetime të mëtejshme.

Në vijim të hetimeve janë gjetur dhe sekuestruar nga ana e policisë se Komisariatit Mat, dy automjete tip ‘Benz Autoveturë’, të dyshuara të vjedhura në Tiranë.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në D.V.P.Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, si rezultat i një punë hetimore dhe profesionale, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim:

Jurgen Balliu, 23 vjeç, banues në fshatin Sopot, Bulqizë.

Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 3 vjet dhe 4 muaj burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike“ , e parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur do ti referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe Mat për hetime të mëtejshme”, njofton policia.

(n.m/BalkanWeb)