Të moshuarit dikur çmoheshin më shumë, por kjo nuk është thjesht punë ndjenjash
Kur e sheh me kujdes të rezulton se pleqtë e dikurshëm respektoheshin shumë më tepër sesa të sotmit, por ky ndryshim nuk vjen ngaqë tani njerëzit dhe shoqëria janë bërë më pak të ndjeshëm e më cinikë. Ky ndryshim vlerësimi vjen si pasojë e një vargu ndryshimesh të tjera të natyrës historike, demografike, ekonomike etj.
Shumica e të moshuaarve të sotëm janë 80 – 90 vjeçarë, dikur shumica ishin në të 60-at, se jetëgjatësia ishte më e shkurtër. Vetkuptohet që mes 80-90 vjeçarëve gjen me shumicë pleq e plaka të pamundur, madje edhe të lehtësuar e të rrjedhur. Njerëzillëku e do që edhe këta t’i shohësh me dhembshuri, por vështirë të të ngjallin respekt e të shërbejnë si model, pa le më t’i vësh të gjykojnë e të drejtojnë familjen e vëllazërinë.
Strukturat familjare e pronësore të dikurshme u jepnin shumë më tepër peshë komunitetit, familjes e fisit dhe shumë më pak individit. Zakoni e përcaktonte që familja dhe fisi drejtoheshin nga më të moshuarit, ata kishin peshë vendimtare në caktimin e trashëgimisë pronësore, ashtu siç kishin edhe të drejtën të gjykonin e dënonin të prapët e plangprishësit.
I riu i dikurshëm nëse përjashtohej nga familja e fisi mbetej si peshku në zall, pa pronë e pa përkrahje. I riu i sotëm është individ që punon e paguhet, mund të lëvizë brenda e jashtë vendit, të sigurojë kredi, shërbime shëndetësore, pension pleqërie etj. Nëse dikur katandia e tij përcaktohej nga ndarja që pleqtë i bënin pasurisë së familjes, sot në një shumicë rastesh pleqtë mbeten të varur nga paratë që u dërgojnë të rinjtë.
Edhe zhvillimet teknologjike kanë luajtur e po luajnë rol të madh në ‘shfronësimin’ e pleqve. Dikur këta ishin burimi kryesor i njohurive dhe i përvojave, se kishin jetuar më gjatë e kishin parë, pësuar e mësuar më shumë. Ndaj fjala e tyre peshonte e proverbi thoshte: pleqve vetëm pord*ët mos ua vur re, po fjalën mbajua vath në vesh. Sot burim informacioni e instruksioni është bërë rrjeti. Mbesa ime qysh kur isht pesë vjeç dhe prindrit i përgjigjeshin për ndonjë pyetje se nuk e dinin, nuk u thosh ‘pyesni gjyshin’, po ‘shihe në gugëll’.
Mund të vaazhdosh e të renditësh shkaqe të tilla që kanë sjellë si pasojë faktin se të moshuarit e sotëm nuk kanë e nuk mund të kishin vlerësimin e të dikurshmëve. Por gjithsesi t’i lidhësh me litar si në atë shtëpinë e pleqve në Tiranë apo t’i harrosh e t’i shpërfillësh siç ndodh jo rrallë, do të thotë të mos respektosh thelbin tënd njerëzor. Dhe kur këto raste shumohen e kthehen në normë, dëshmojnë se diçka e rëndësishme në zemerekun e shoqërisë nuk funksionon.