Ish-portieri brazilian Nelson Dida ka besim që Milani do të dalë nga kriza ku ndodhet në këtë fillim sezoni, por thotë se Fonseka duhet të përballojë presionin që ka një klub i tillë, pasi në të shkuarën nuk ka drejtuar ndonjë skuadër të madhe.

Megjithatë, braziliani thotë se prezenca e Ibrahimoviçit në skuadër është diçka pozitive dhe do të ndihmojë për daljen nga kriza.

SERIE A- “Kam ndjekur ndeshjet e Milanit në fillimin e kampionatit, por mendoj se Interi është skuadra favorite për të fituar titullin sepse ka një organikë dhe një staf me shumë kualitet. Ata kanë dashur që të kenë vazhdimësi duke u përmirësuar sa më shumë të jetë e mundur”.

MILANI- “Më duket se gjatë kësaj kohe kanë kërkuar të marrin lojtarët më të mirë në funksion të projektit dhe të kërkesave të trajnerit të ri. Fonseka sapo ka ardhur dhe ka nevojë për kohë. Duhet të punojë akoma më shumë sepse është tjetër gjë të fitosh ndeshjet miqësore dhe tjetër që të luash në kampionat apo Champions League. Duhet të kenë të gjithë durim dhe dëshirë për të punuar”.

FONSEKA- “Është një trajner inteligjent. Fonseka e njeh mirë kampionatin. Të punosh për Milanin është diçka më e rëndësishme sesa skuadrat e tjera që ka pasur. Ndoshta i peshon edhe ky fakt. E rëndësishme është që të ruajë qetësinë dhe të punojë me atë që ka në mendje. Me besimin e lojtarëve mund t’ia dalë dhe të bëjë një kampionat të mirë”.

IBRAHIMOVIÇ- “Sigurisht që prezenca e tij mund të ndihmojë Milanin. Ai njeh gjithçka aty. E dimë se çfarë pasioni ka për këtë klub. Ibra nuk do kurrë të humbasë dhe këtë ide duhet ta përçojë në ekip”.

MERKATO- “Më bën shumë kurioz Morata. Është një lojtar alla Ibrahimoviç dhe shënon gjithmonë gola. Por këtë kualitet duhet ta tregojë në fushën e lojës”.

PANORAMASPORT.AL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb