TIRANË – Banorët e fshatit Ibë, fshatit të rrezikuar nga rrëshqitja e dherave, kanë bërë të ditur për “News 24” se edhe pasditen e sotme janë kryer shpërthime në autostradën e bllokuar Tiranë–Elbasan. Sipas tyre, edhe policia ka qënë në dijeni për shpërthimet, sepse ka ndaluar qarkullimin në këtë zonë. Banorët e Ibës kanë fajësuar firmën greke, që po kryen punimet në autostradë, se me shpërthimet e saj ka shkaktuar shkarjen e dherave dhe tronditjen e themeleve të më shumë se 30 shtëpive.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Autoritetit Rrugor Shtetëror, i cili ka deklaruar se shpërthimet janë bërë për heqjen e masivit te dherave. ARRSH sqaron se shpërthimet janë një procedurë standarde që ndiqet në të tilla raste.

Kjo është dita e gjashtë e bllokimit të rrugës kombëtare Tiranë–Elbasan, për shkak të rrëshqitjes së dherave që kanë rënë mbi shtratin e rrugës duke marrë me vete shtyllën e tensionit të lartë, lokale dhe rrezikuar edhe 30 banesa, prej të cilave tashmë familjarët janë shpërngulur thuajse përfundimisht.

(mi.k/ar.sh/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb