Reperi i njohur, P.Diddy, është akuzuar se e ka përdhunuar një grua pasi ajo e akuzoi atë për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur.
Në një padi që u dorëzua në Gjykatën e Kalifornisë nga një grua e quajtur Ashley Parham, pretendohet se reperi, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, e ka kërcënuar se “do të ia presë fytyrën më thikë” si hakmarrje ndaj komenteve që ka bërë ajo, ka shkruar BBC.
Combs, ende nuk e ka adresuar këtë pretendim ndërkohë që i ka mohuar akuzat për krime seksuale.
Ai gjithashtu ka mohuar se është i përfshirë në vrasjen e reperit të famshëm Tupac Shakur, ngjarje kjo që ka ndodhur në vitin 1996 në Las Vegas.
Rasti i kësaj vrasjeje nuk është zgjidhur asnjëherë, ani pse ish-anëtari i një bande, Duane “Keffe D” Davis, vitin e kaluar është akuzuar për vrasjen e Tupac Shakurit. Gjyqi ndaj tij pritet të mbahet në muajin mars të vitit të ardhshëm. Davis më parë ka bërë pretendimin se Combs i pati ofruar 1 milion dollarë për ta vrarë Shakurin.
Në dokumentet e padisë së Parhamit, të cilat të martën u dorëzuan në Gjykatën e Kalifornisë, ajo ka thënë se “ra në radarin e Combsit pasi u takua me një nga shokët e tij në një bar në vitin 2018”.
Ajo ka cekur se shoku i reperit, po mundohej t’ju linte përshtypje njerëzve duke bërë një bisede telefonike me Combsin përmes kamerës, në të cilën Parham refuzoi të merrte pjesë pasi besonte se reperi ka të bëjë me vrasjen e Tupac Shakurit.
Në padi thuhet se Combs i dëgjoi këto komente dhe i ka thënë Parhamit se “do të bëj të paguash për këto fjalë”.