TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi, ka takuar sot numrin dy të policisë italiane Fulvio Della Rocca si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të policisë së vendit fqinj me të cilin ka ndarë vullnetin për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes tyre në luftën kundër krimit të organizuar.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Masimo Gaiani, si dhe Shefi i Misionit PAMECA IV, Giorgio Butini. Didi u shpreh se takimet tashmë duken të zakonshme, nisur nga bashkëpunimi gjatë vitit që shkoi, në shkëmbim të informacioneve, të zhvillimit të operacioneve të përbashkëta, të kapjes dhe ekstradimit të të kërkuarve nga organet e drejtësisë së vendeve tona, tashmë duket sikur jemi një polici.

“Ishte pikërisht ky bashkëpunim dhe shkëmbimi i shpejtë i informacionit mes dy policive që gjatë vitit 2014 solli goditjen e disa grupeve kriminale të trafikut të drogës”, vuri në dukje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Gjithashtu Didi përmendi edhe zhvillimin e suksesshëm të operacioneve të përbashkëta me partnerët e tjerë si me Belgjikën, Gjermaninë, Malin e Zi, etj. Në vijim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, theksoi se zhvillimi i këtyre operacioneve të përbashkëta, shkëmbimi i informacioneve dhe mos rrjedhja e informacionit, siç mund të ketë ndodhur më parë, solli rritjen e besimit tek partnerët, duke bërë që Policia Shqiptare tashmë të shikohet si një partnere e rëndësishme dhe e besueshme në luftën kundër krimit të Organizuar dhe Terrorizimit.

“Gjatë këtij viti do të rrisim cilësinë e bashkëpunimit dhe do të krijojmë  kushtet  për krijimin e njësive operative të përbashkëta kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar, gjë që është në prioritetet tona”, deklaroi Didi.

Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Della Rocca përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm Artan Didi, për performancën e krijuar në drejtimin e Policisë Shqiptare, si dhe për bashkëpunimin dhe operacionet e përbashkëta që janë zhvilluar mes dy policive, por edhe me partnerët e tjerë. Ai theksoi se vizitën e parë të tij si Zv/drejtor, po e zhvillon në Shqipëri, çka tregon se është një mesazh i qartë i marrëdhënieve mjaft të mira mes dy palëve.

Kjo vizitë vjen menjëherë pas vizitës së Ministrit të Brendshëm të Italisë, i cili gjatë takimit me Ministrin Saimir Tahiri deklaroi se pas kësaj vizite, takimet do shtrihen në nivel strategjik dhe teknik.

Della Rocca ka vlerësuar mjaft të mirë bashkëpunim gjatë vitit 2014 dhe ka kërkuar që të forcohet më tej ky bashkëpunim duke krijuar struktura operative dhe shkëmbim informacioni në kohë reale.

Zv/Drejtori i Policisë Italiane ofroi trajnime për Drejtorinë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit Shqiptar, duke  theksuar faktin që” bashkëpunimin e shkëlqyer që tashmë kemi arritur, ta përdorim si model edhe në fushën e luftës kundër terrorizimit”.

Po ashtu Della Rocca, garantoi mbështetjen për të përfshirë Shqipërinë në projektet e përbashkëta në të ardhmen me EUROPOL, ku Policia Italiane tashmë ka drejtimin e komitetit Ekzekutiv.

Në takim ishte i pranishëm edhe zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, Z.Çako, i cili e cilësoi shumë me vlerë vizitën e Zv/drejtorit të Përgjithshëm italian dhe theksoi se ka një sërë faktorësh që e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb