KORÇË

Digjen lëndë toksike në Ish-trikotazhin e Korçës. Gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 9 të qytetit të Korçës dhe se 10 familje janë të rrezikuara për shkak të helmit që lëshojnë këto mbetje.

Në vend ka shkuar policia e cila nuk ka lejuar banorë të tjerë të hyjnë në pallatin që ndodhet pas fabrikës, por ndërkohë brenda pallatit ka të tjerë banorë.

Mësohet se djegia ka ardhur nga reaksioni që krijojnë lëndët kimike me njëra- tjetrën në prani të temperaturave. Lagështia ka bërë që të aktivizohet përzierja e lëndëve. Këto lëndë kimike çlirojnë tym dhe gaz me përmbajtje kimike çka mund të helmojnë banorët.

“Ka që në mëngjes, është një situatë shumë e vështirë. Pas shpinës sime është një fabrikë, dhe herë pas herë shpërthejnë helmet. Kemi njoftuar institconet, kanë ardhur disa herë, kanë bërë ndërhyrje të vogla, por nuk është dhënë zgjidhje përfundimtare. Janë rreth 10 familje që banojnë tek ndërtesa prapa, tek pallati. ka rreth 4-5 muaj që ndodh kjo, jo e përditshme, sipas situatës. Dolëm në mëngjes, ishte tym dhe ajri shumë i rënduar dhe lajmëruam pastaj. Ajri është shumë i rënduar, janë helme të ndryshme. Për momentin nuk ka asnjë masë, thjesht është mbyllur hyrja e pallatit. Policia na detyroi që të mos futem në pallat. Pjesa tjetër janë brenda”, deklaroi një banor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb