Një lokal veror është djegur gjatë natës në zonën bregdetare të Kunes në Shëngjin duke u shkrumbuar plotësisht. Ngjarja është regjistruar rreth orës 4:00 minuta të ditës së sotme dhe zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur për të penguar djegien e plotë pasi gjithçka ka ndodhur vetëm në pak minuta.

Policia ka nisur menjëherë hetimet në lidhje me këtë ngjarje, por pa saktësuar nëse bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme ose jo. Objekti rezulton në pronësi të shtetasit Gëzim Çuni, por sipas burimeve konfidenciale ky lokal veror është përdorur vazhdimisht nga Oficeri i Policisë Gjyqësore në Lezhë S.C. që po sipas këtyre informacioneve është mik i ngushtë i pronarit që e ka me letra këtë objekt.

Dyshimet e para janë për një zjarrvënie të qëllimshme dhe mënyra e ndërtimit të këtij objekti në breg të detit është dyshimi kryesor ku janë përqendruar hetimet, por pa shmangur edhe zjarrvënien për shkak të detyrës së OPGJ në Prokurorinë e Lezhës.

Policia e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ka qenë e kujdesshme në deklaratën e saj, duke dhënë informacion vetëm për djegien dhe asnjë detaj më shumë apo dyshimeve mbi shkaqet e rënies së këtij zjarri. Pronari de juro dhe dy persona të tjerë janë marrë në pyetje rreth djegies së këtij lokali veror në Kune të Shëngjinit, por ende pa saktësuar se për çfarë bëhet fjalë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: