FUSHE-KRUJE – Një makinë, e cila dyshohet të jetë përdorur për vrasje dhe grabitje, është gjetur tërësisht e djegur në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit dhe ajo lokale, bënë me dije se automjeti i braktisur tip “BMW”, ngjyrë vishnje, pa targa, u gjet mëngjesin e djeshëm nga forcat zjarrfikëse, në një rrugë dytësore, afër brigjeve të lumit Ishëm. Kanë qenë banorë të zonës, të cilët rreth orës 07:00 kanë parë mjetin të përfshirë nga flakët, ndaj menjëherë kanë sinjalizuar zjarrfikësit.

Pas marrjes së informacionit për shkrumbimin e “BMW”-së, Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Nga kryerja e veprimeve hetimore paraprake ka rezultuar se makina ishte vjedhur mbrëmjen e së enjtes në Kamëz. Po mbrëmë, pronari (emri i të cilit nuk bëhet me dije) kishte bërë denoncimin në Policinë e Tiranës për grabitjen e mjetit. Ai është shprehur para bluve, se makinën e kishte blerë një javë më parë jashtë vendit dhe se ende nuk kishte bërë zhdoganimin.

Sipas pronarit, automjeti ka qenë me targa të huaja dhe e kishte parkuar pranë shtëpisë së tij. Gjithashtu, i zoti i makinës ka deklaruar se nuk kishte konflikte me askënd. Burimet e mësipërme pohuan se pronari i mjetit njihet si person pa precedentë të mëparshëm penalë. Ndërkohë, hetuesit e çështjes thanë se grabitësit nuk kanë mundur dot të kalojnë në rrugën nacionale dhe të hyjnë në Fushë-Krujë apo Krujë. Kjo për shkak se prej disa netësh, në segmentet rrugore janë ngritur postblloqe të shumta. Për pasojë, autorët e krimit kanë marrë rrjedhën e lumit dhe 1 km larg prej banesës më të afërt, ata i kanë vënë zjarrin mjetit luksoz, për të humbur gjurmët. Sipas bluve, dyshohet që makina e shkrumbuar nga zjarri të jetë përdorur për ngjarje kriminale. Policia po heton intensivisht për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje si dhe identifikimin e vënien në pranga të autorit.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb