Nga: ENIDA HIMAJ*
TIRANE- Udhëtarët e tragetit “Norman Atlantic” kanë përjetuar orët e ferrit teksa kanë pritur të evakuohen. Shumë prej tyre kanë telefonuar në media duke përshkruar atë se çfarë po shihnin. Të mbijetuarit flasin për atë se çfarë ndodhi realisht mëngjesin e ditës së diel në tragetin italian. Fotis Candakidhis, shtetas grek, ishte personi i parë që arriti të dilte nga anija. Ai tregon se ekuipazhi nuk i ka dhënë ndihmën e parë. “Askush nuk na ndihmoi, vonoi që të binte alarmi, kishte panik, askush nuk dinte ku të shkonte. 40-50 vetë hymë në barkat e shpëtimit. Flaka shpërtheu në 2-3 pika në një kohë. Dëgjuam të shpërthenin gomat e makinave, dëgjuam shpërthime. Nuk kishte alarm dhe nëpër kabina filloi të hynte tym. Kur hipëm në varkat e shpëtimit, na u prish motori dhe u përplasëm me anijen. Koha ishte shumë e keqe, me siguri deti ishte 10 ballë. Më pas arritëm që të ishim në krah të Spirit of Piraeus dhe të gjithë ata që ishin në varkën tonë të shpëtimit arritën të shpëtojnë; kishte gra, fëmijë dhe një gjysh që ra në det, por që e nxorëm nga uji”, – tregon Fotis Candakidhis. Televizionet greke kanë sjellë ‘live’ dëshmitë e disa prej udhëtarëve që gjendeshin në anije. “Disa persona u hodhën në det. Këpucët filluan të na shkriheshin nga i nxehti ndërsa ishim në zonën e pritjes”, – rrëfen për televizionin grek “Mega”, një nga pasagjerët e “Norman Atlantic”. Sipas mediave greke, pasagjerët fajësojnë mungesën e koordinimit gjatë evakuimit duke e cilësuar shumë të dobët. “Ata po përpiqen të ulin disa varka shpëtimi, por jo të gjithë pasagjerët mund të hipin mbi to. Nuk ka aspak koordinim”, – tha njëri prej të rrezikuarve. “Është errësirë, ndërsa fundi i tragetit është përfshirë nga flakët. Ne jemi në pjesën e përparme, pamë një varkë që po afrohet, hapëm disa kuti të ndihmës së shpejtë dhe morëm disa jelekë shpëtimi, po përpiqemi të shpëtojmë veten.” “Isha edhe me tre të tjerë në anije, tani të gjithë jemi mirë. Në orën 6 e 30, ndërkohë që po flinim, ndjemë një erë të çuditshme në kabinat tona, por nuk ra asnjë alarm. Kabina jonë ndodhej në katin e 6-të. Hapëm derën e kabinës të shihnim se çfarë kishte ndodhur dhe pamë shumë tym. Dyshemeja ishte flakë e kuqe, digjej nga zjarri. Alarmi ra shumë më vonë, ekuipazhi nuk na ndihmoi. U munduam të ngjisnim shkallët për te varkat e shpëtimit; në këtë moment na u dhanë jelekët e shpëtimit. Ishim rreth 40-50 vetë, mes nesh kishte edhe shumë fëmijë”, – tha pasagjerja e quajtur Athina. Këto janë disa nga komentet e raportuara në lidhje të drejtpërdrejtë me televizionet greke. Një pasagjere greke e cila ka shpëtuar nga flakët në anijen italiane “Norman Atlantic”, jep dëshmi rrëqethëse rreth ngjarjes. Sipas saj, jo vetëm që askush nga ekuipazhi nuk i ndihmoi për të shpëtuar jetën, porse dhe alarmi për zjarrin u dha tepër vonë. “Shpëtuam me një varkë që mori 40-50 njerëz. Mbizotëronte paniku, askush nuk e dinte çfarë po ndodhte për momentin. Alarmi për zjarrin u dha tepër vonë, kur flakët arritën katin e gjashtë. Ndihmë nuk pati as nga ekuipazhi.” “Nëse nuk digjemi, do vdesim nga të ftohtët”; “Thyem dritaret sepse nuk marrim dot frymë”; “Po digjemi, lutuni për ne”; “Ka erë tymi në kabina. Ka shumë fëmijë dhe të moshuar. Ne qëndrojmë afër njëri-tjetrit dhe përpiqemi të jemi ngrohtë”, janë këto disa nga fjalitë tronditëse që pasagjerët shqiptojnë në lidhjet telefonike në televizionet greke.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: