NGA ANILA JOLE*
ATHINE
-Jeroen Dijsselbloem, kreu i këshillit të ministrave të financave të Eurozonës, deklaroi se nëse qeveria e re greke insiston në realizimin e premtimeve elektorale, atëherë do të devijojë reformat dhe do të krijojë vonesa në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit. Para mbërritjes në Athinë, shefi i Eurogrupit tha se është shumë herët të gjykohet për atë që do të bëjë në të vërtetë qeveria e Aleksis Tsipras, por shtoi se “po të mbledhë dikush gjithë premtimet që u bënë në fushatën elektorale, buxheti grek do të dalë nga shinat shumë shpejt”. Zyrtari holandez tha se është i gatshëm të dëgjojë propozimet e Athinës për lehtësim të borxhit, por shtoi se “ajo që është më e rëndësishme për Greqinë, është thjesht të respektojë marrëveshjet që kemi lidhur”. Nëse shtohen shpenzimet publike që do ta shndërrojnë suficitin primar në deficit, “lehtësimi i borxhit nuk do të ndihmojë”, komentoi kreu i Eurogrupit, i cili nënvizoi se Greqia “ushqen ambicien” që të qëndrojë në Eurozonë, dhe të njëjtën gjë duan edhe partnerët.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: