Një film që ndjek debatin për shtëpinë e Hitlerit në Austri, ngre pyetje mbi arsyet që e sjellin dhe mbajnë në pushtet një diktator. Regjisori austriak ndalet te përgjegjësia e turpi për të shkuarën
Një kërkim personal dhe kolektiv mbi raportin e qytetarëve, qytetit dhe pushtetit me të shkuarën, u shfaq përmes filmit dokumentar “Kush ka frikë nga Branau”. Regjisori Gunter Schwaiger, ndjek fatin e shtëpisë së Hitlerit në Austri, duke ngritur pyetje mbi arsyet që e sjellin dhe mbajnë në pushtet një diktator.
“Shtëpia e Hitlerit do i jepej shoqatës së personave me aftësi ndryshe, pastaj qeveria ndryshoi mendim duke dashur ta bëjë rajon policie. Për mua si austriak, ky ishtë një shok sepse mendoj se ne nuk duhet të ndryshojmë të shkuarën, por qasjen tonë mbi të- duke u përballur me të shkuarën. Filmi pyet pse austriakët kanë vështirësi të përballet me shkuarën si komb që mbështeti nazizmin. Ne duhet të ndjejmë përgjegjësi për të shkuarën, jo turp sepse turpi bllokon procesin reflektimit dhe kërkon heshtje jo pyetje e analiza”, tha Gunter Schwaiger.
Filmi austriak u shfaq në kuadër të Ditëve të kujtesës, një nismë që prej 10 vitesh përpiqet të ndërtojë dialog dhe të ndryshojë narrativat e perceptimet sikundër dhe qëndrimet pothuaj nostalgjike mbi diktaturën. Kërkimi I regjisorit austriak kundërshton turpin për të shkuarën duke kërkuar reagim ndërsa vëren se është mungesa e mekanizmave të kontrollit që krijon diktatorë.
“Ne nuk jemi përgjegjës për atë që bënë paraardhësit tanë, por jemi përgjegjës ta shmangim të ndodhë prapë. Ndaj duhet të kuptojmë çfarë i bëri ata ta mbështesin nazizmin? Duhet të hapim sytë, nazistët nuk erdhën nga një botë tjetër. Ata ishin aty dhe patën shumë ndjekës. Duhet të pyesim në familjet tona, pse u mbështetën ata? Duhet të kuptojmë si u manipulua shoqëria e të rinjtë. Duhet të kuptojmë sepse jemi në prag të një totalitarizmi të ri që përdor propagandën dhe frikërat”, tha regjisori.
Një shoqëria e ndërgjegjshme për dukuritë autokratike dhe shtypëse, i shquan herët diktatorët, tha Schwaiger, duke paralajmëruar se sistemet shtypëse nuk vijnë në të njëjtën formë por kanë të njëjtën përmbajtje.
E pranishme në shfaqjen e filmit, Ambasadorja e Austrisë në Shqipëri, Monica Zach, vuri në dukje rëndësinë e diskutimit mbi temat e së shkuarës, ndërsa ambasada mbështet nisma artistike si shfaqja e filmit që nxisin ndërgjegjësimin.