Keni dëgjuar ose lexuar ndonjëherë për diktaturat e heshtura? Nuk ka luftë, as grusht shteti, as revolucion. Ndodhin zgjedhje, ka parti, ka gjykata, ka media, ka debat në media e rrjete sociale për çfarëdo ndodh në përditshmërinë e një kombi, ka edhe mendime ndryshe. Asgjë nuk duket e gabuar në sipërfaqe. Nën sipërfaqe, regjimi në emër të sundimit të ligjit, instalon sundimin me ligj.
Nëpërmjet kësaj strategjie, regjimi konsolidon pushtetin e tij edhe pretendon para zgjedhësve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë se ndryshimet ligjore u janë nënshtruar proceseve të duhura.
Nuk kalon shumë kohë, media kombëtare bëhet pa turp pro regjimit, hapësira qytetare ngushtohet në atë mënyrë që grupet pro-qeveritare ose ato me synime të lidhura me qeverinë janë të vetmet që mund të lulëzojnë dhe opozita ka pak shpresë për të fituar.
As BE-ja, e cila na serviret si testi i fundit i sundimit të ligjit edhe demokracisë nuk është imune nga pandemia e sundimit me anë të ligjit.
Raporti i Demokracisë 2021 i V-Dem tregon se pikërisht brenda BE-se ndodhen përkatësisht Polonia e cila është vendi më autokratik në botë. I njëjti raport e vendos Hungarinë të dytën në listë.
Pa sy të kujdesshëm, sundimi me anë të ligjit duket si demokraci, por regjimi bëhet i dukshëm vetëm pasi i afrohen konsolidimit të plotë, por atëherë bëhet shume e veshtirë, megjithëse jo e pamundur, për t’u thyer.
Ne mund të kemi këndvështrime të ndryshme për ç’ka po ndodh në Shqipërinë e vogël, por shqetësim për këdo nga ne mbetet pyetja “a jemi duke instaluar sundimin e ligjit apo regjimi sundon me anë të ligjit?
(BalkanWeb)