Çdo ditë e më shumë, Federata Shqiptare e Futbollit po kthehet në një institucion që u kushton më shumë rëndësi akuzave dhe kritikave që bëhen për të sesa nivelit të futbollit, infrastrukturës, trukimeve, dhunës apo gjyqtarëve që gabojnë thuajse çdo javë. Shpikja më e fundit e FSHF-së është që të intimidojë dhe frikësojë këdo që guxon të kritikojë apo flasë kundër institucionit, drejtuesve të tij apo zyrtarëve të federatës.

Në vendimet e djeshme të Komisionit të Disiplinës, dy ishin ato që binin në sy. Në to thuhej se ishin thirrur në seancë dëgjimore zyrtari i Këlcyrës, Robert Spahiu, dhe trajneri i Elbasanit, Elvis Kotorri, dhe sipas Komisionit krejtësisht të “pavarur”, kishin mohuar ato që kishin deklaruar në shtypin e shkruar dhe në rrjetet sociale. Spahiu në prononcimin e tij kishte akuzuar për skenar ndaj Këlcyrës për moszhvillimin e ndeshjes së parë të kampionatit me Tepelenën, ndërsa drejtonte gishtin drejt delegatit.

Trajneri I Kelcyres
Trajneri I Kelcyres

Ndërsa, Kotorri është thirrur për të sqaruar deklaratat e tij pas ndeshjes në Cërrik ndaj Apolonisë që akuzonte gjyqtarët. Metoda të denja për kohën e komunizmit, ku ata që kritikonin apo akuzonin, më pas thirreshin në hetuesi, merreshin në pyetje, frikësoheshin dhe u bëhej presion që të mos e përsërisnin më. Kjo është edhe shpikja më e fundit e federatës, ndërsa për dhunën, trukimet, stadiumet e boshatisura, ekipin simbol të dekadës së fundit të dënuar me 10 vite për trukime ndeshjes apo shumë skandale të tjera, interesohet shumë pak.

VENDIMET E KOMISIONIT TË DISIPLINËS:
15. Pasi zhvilloi seancën dëgjimore me zyrtarin e KF Këlcyra, Robert Spahiu, në lidhje me shkrimet në shtypin e shkruar dhe rrjetet sociale, ai deklaroi moskonfirmimin e tyre si thënie të tij dhe të klubit që përfaqëson, shkak për të cilin do të bëjë edhe përgënjeshtrimin përkatës.

16. Pasi zhvilloi seancën dëgjimore me zyrtarin e KF Elbasani, Elvis Kotorri, në lidhje me shkrimet në shtypin e shkruar, ai deklaroi moskonfirmimin e tyre si thënie të tij dhe të klubit që përfaqëson, shkak për të cilin do të bëjë edhe përgënjeshtrimin përkatës”, ishin vendimet e djeshme të Komisionit të Disiplinës. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb