Është një fakt i njohur që shqiptarët janë emigruesit më të mëdhenj të rajonit. Historia është treguar e padrejtë me një ndër kombet më të vjetër të kontinentit. Por fati si popull migrator na ka dhënë edhe një mundësi. Të ndodhur midis dy fqinjëve, italianëve dhe grekëve, popuj me histori të spikatura migrimesh, shumica e emigrantëve shqiptarë që emigruan para 30 vjetësh, gjetën në këto vende një strehë të ngrohtë dhe të sigurt. Historia nuk ndërtohet me nëqoftëse, por a mund ta imagjinojmë çdo të ndodhte nëse qindra-mijëra shqiptarë të dëshpëruar, nuk do të mikpriteshin në këto dy vende? Për qeveritë, por edhe popujt e këtyre dy vendeve? Por në radhë të parë, për ne? Duhet thënë se emigrantët shqiptarë nuk u pritën vetëm nga qeveritë. Më së pari dhe më së shumti, u strehuan dhe u ndihmuan nga popujt fqinjë. Qeveritë nuk bënë gjë tjetër, përveçse ndoqën instiktet bujare të popujve të tyre. Trajektoret e qëndrimeve të qeverive mund të kenë ndryshuar, por trajektoret e qëndrimeve të popujve, jo. Ato kanë mbetur të pandryshuara.

Tashmë shqiptarët kanë një mundësi për të shfaqur ndërgjegjen e tyre kombëtare dhe evropiane: mikpritjen ndaj refugjatëve. Kemi rastin të dallojmë nga një pjesë e fqinjëve. Në vend të ndërtimit të mureve si ata, të ndërtojmë ura. Të mirëpresim familjet që rrezikojnë jetën e tyre drejt Evropës, duke shpresuar të gjejnë mirëkuptim, pranim dhe mundësi më të mira. Të tregojmë se edhe pse nuk jemi një vend i pasur, jemi një popull i pasur në vlera. Apeli për një qëndrim më human ndaj refugjatëve nuk është thirrje për imponim. Është një frymëzim nga kultura tradicionale shqiptare. Madje edhe nga ajo kanunore, e cila në këto tema ka qenë gjithmonë progresive dhe bujare: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”!

Nuk ishin vetëm emigrantët shqiptarë që në fillim të viteve 1990-të gjetën strehë në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian. Emigrantët e Evropës së re patën gjithashtu mundësinë të provonin se edhe shtëpitë evropiane janë të Zotit dhe të mikut. Gjeografia e ka vendosur Evropën Lindore përballë sfidës për t’u bërë porta e hapur apo dera e mbyllur për refugjatët. Para 30 vjetësh ishte radha e Evropës Perëndimore të tregonte veten. Pas 30 vjetësh koha është për Evropën Lindore. Historia përsëritet, por jo me të njëjtët protagonistë. Në fund të fundit, çdo komb ka ditët e veta të mira dhe të këqia. Ka ditët kur detyrohet të emigrojë, por ka edhe ditët kur refugjatët i vijnë te pragu i shtëpisë, dera e së cilës nuk duhet dhe nuk mund të mbyllet. Kur politikanëve radikalë italianë u shkonte mendja “të hidhnin shqiptarët në det”, publiku dhe media progresiste italiane u kujtonte kohët: “Quando gli albanesi eravamo noi”. Tani është koha jonë të kujtojmë se “Dikur ata ishim ne”! Ështe koha të dëshmojmë diferencat dhe avantazhet kulturore e njerëzore që kemi me të tjerët. Shtëpia e shqiptarëve nuk mund të mbyllë dyert. Nuk duhet të sakrifikojmë vlerat tona nga një frikë e ekzagjeruar. Flukset e refugjatëve nuk sjellin domosdoshmërisht rrezik. Demonizimi i refugjatëve është joproduktiv. Më mirë se të gjithë, këtë e kanë provuar emigrantët shqiptarë. Një pjesë e tyre i vuajnë ende stereotipet që u krijuan në vitet e para të qëndrimit në vendet pritëse. Le të bëjmë diferencën nga të tjerët, në këtë rast për mirë!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: