Nga Fatmir Popja
LIBRAZHD – Njësia Administrative Stravaj është një ndër katër të tilla që ka aktualisht bashkia e Prrenjasit. Kjo zonë e rrethit të Librazhdit për gati gjysëm shekulli përjetoi një zhvillim të vrullshëm ekonomik dhe kryeqendra e saj Sharrë Stravaj u kthye në një qytezë të mrekullueshme me mijëra banorë mes malesh, shumica e të cilëve erdhën aty nga Elbasani, Librazhdi, Prrenjasi, Gramshi, Pogradeci e gjetkë.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar Sharrë Stravaj u kthye në një nga qendrat më të rëndësishme të ekonomisë pyjore në të gjithë Qarkun e Elbasanit.
Aty u ndërtuan jo vetëm pallate e shtëpiza druri por edhe objekte social kulturore, çerdhe, kopështe, shkolla, qendra shëndetësore, spital, kinema, dyqane, kafeteri, restorante dhe gjithçka tjetër që u nevojitej banorëve të kësaj zone. Të gjitha këto e kthyen qytezën ku jetonin mijëra punëtorë të shfrytëzimit të masive pyjore të kësaj zone në një nga më të famshmet në të gjithë Shqipërinë.
Sharrë Stravaj u fut në histori për zhvillimin që mori gjatë asaj periudhe. Falë punës dhe sakrificave të drejtuesve, administratës, inxhinierëve, shoferëve të transportit të lëndës drusore dhe punëtorëve të shfrytëzimit të masiveve të pyjeve me dru ahu, pishe, bredhi, dushku e arra ritmet e zhvillimit të zonës ishin mjaft të shpejta.
Ekonomia pyjore e kësaj zone për disa dekada arriti ti siguronte të ardhura të jashtëzakonshme buxhetit të shtetit komunist dhe falë kësaj edhe pagat e të gjithë atyre që ishin të punësuar në këtë sektor ishin mjaft të mira dhe familjet e tyre kishin mirëqenie më të lartë krahasur me ato që punonin në sektorë të tjerë të ekonomisë socialiste.
Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, Sharrë Stravaj ishte një zonë ku sharrtarët luanin një rol të rëndësishëm në ekonominë lokale. Sektori i industrisë së sharrave solli në të gjithë zonën një zhvillim të dukshëm duke e kthyer në qytezë mjaft të këndshme. Po ashtu, ky aktivitet industrial mbajti gjallë jetën e përditshme dhe zhvilloi përkohësisht edhe turizmin në zonë. Megjithatë, pas përmbysjes së sistemit komunist, shfrytëzimi i pa kontrolluar i masiveve pyjore dhe burimeve natyrore gjatë dekadave të fundit ka shkaktuar dëme të mëdha në ekosistemin e zonës së Stravajt.
Pyjet që dikur mbulonin me dhjetra mijëra hektarë në këtë territor janë dëmtuar duke i dhënë fund një tradite të qëndrueshme të menaxhimit të burimeve natyrore. Dëmtimi i këtyre burimeve nga aktiviteti i paligjshëm ka shkaktuar gjatë dekadave të fundit rënien e nivelit të zhvillimit dhe mirëqenies së banorëve të kësaj zone të begatë që u shpopullua me ritme të shpejta. Një faktor tjetër është padyshim edhe infrastruktura e keqe rrugore që lidh Sharrë Stravajn me rrugën kombëtare. Kjo zonë është një shembull tipik i neglizhencës së të gjitha pushteteve të periudhës së demokracisë për të investuar në zhvillimin e këtij rajoni ku dikur industria e shfrytëzimit të pasurive pyjore sillte miliona dollarë.
Kjo zonë dikur e kishte mjaft të zhvilluar bujqësinë, blektorinë dhe shquhej për shumëllojshmërinë e bimëve mjekësore që grumbullonte për eksport. Por mungesa e rrugëve të mira dhe të sigurta ka bërë që disa qindra familje të largohen nga fshatrat e Njësisë Administrative Stravaj, si Stravaj, Stranik, Farret, Shqiponjë, Gaferr dhe Sopot, për t’u vendosur në qytetet e mëdha ose në emigracion. Në disa fshatra të kësaj zone, shkollat janë mbyllur që prej disa vitesh për shkak të numrit të ulët të nxënësve dhe ata që janë ende aty udhëtojnë me orë të tëra për të ndjekur mësimet.
Tregu javor në fshatin Farret i cili njëkohësisht është një miniqendër ekonomike po ashtu e ka humbur frekuentimin duke përforcuar degradimin ekonomik të zonës. Përveç kësaj, periudha e dimrit është veçanërisht e vështirë për banorët, pasi dëbora izolon tërësisht fshatrat nga pjesa tjetër e rajonit. Ky izolim ka përkeqësuar ndjeshëm kushtet e jetesës duke e bërë zonën të padisponueshme dhe të vështirë për t’u zhvilluar.
Megjithatë, Stravaj mbetet një zonë me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim, sidomos në fushën e turizmit. Pyjet e shumta, burimet hidrike dhe biodiversiteti janë pasuri që mund të tërheqin vizitorë nga e gjithë bota, nëse investohet në infrastrukturë dhe promovim turistik. Vendasit kujtojnë me nostalgji periudhën kur Stravaj ishte një qytezë e njohur, e frekuentuar nga artistë, sportistë, politikanë, këngëtarë e shkrimtarë mes të cilëve edhe Ismail e Helena Kadare, Dhimitër Shuteriqi, Dhimitër Xhuvani etj.
Të moshuarit e sotëm që ende jetojnë aty e kujtojnë me nostalgji punën që kanë bërë për dhjetra vite në masivet pyjore të Stravajt. Ata tregojnë me krenari historinë e krijimit dhe zhvillimit të qytezëz së Sharrë Stravajt. Vetëm ata që e kanë përjetuar krijimin dhe zhvillimin e qytezëz së Sharrë Stravajt janë dëshmi se aty kanë jetuar 800-2000 punëtorë të sharrave të dikurshme.
Banorët e Stravajt, megjithë vështirësitë që po kalojnë, janë të përkushtuar për ta shpëtuar këtë zonë ku gjatë viteve të demokracisë të vetme investime serioze janë ato private që janë finalizuar me ndërtimin e disa hidrocentraleve përgjatë përroit të Radicinës nga fitimet e jashtëzakonshmë të cilëve, fshatrat e Stravajt jo vetëm që nuk kanë përfituar por përkundrazi kanë humbur. Stravaj ka burime të bollshme të ujit, duke përfshirë burime natyrore si “Uji i Ftohtë”, i njohur për përfitimet e tij shëndetësore dhe kurative. Këto burime janë të rëndësishme për jetesën e banorëve dhe ndihmojnë në mbështetje të bujqësisë dhe zhvillimit të aktivitetëve lokale. Një tjetër mrekulli natyrore e Stravajt është një mini stadium natyror në zonë ku dikur stërviteshin ekipet e futbollit. Ky është një vend i veçantë që ka formuar një hapësirë ideale për aktivitete sportive dhe mund të shërbejë për promovimin e turizmit sportiv.
Stravaj është i rrethuar nga male dhe luginat, duke ofruar pamje mahnitëse të natyrës, perfekte për hiking dhe eksplorim. Masivet pyjore të zonës së Stravajt për nga rëndësia dhe bukuria renditen përkrah atyre të Vermoshit, Thethit, Lumit të Gashit e Parkut Kombëtar “Shebenik”. Këto zona ofrojnë mundësi për aventura në natyrë dhe janë tërheqëse për turistët që duan të shijojnë bukuritë e shumta të natyrës. Mes maleve të zonës shijohet ajri i pastër, shtigjet panoramike, ecja në këmbë, me biçikletë dhe motorr që i bën pushimet në mal mjaft të këndshme.
Stravaj është gjithashtu i njohur për pasuritë e tij gjeologjike dhe natyrore, që përfshijnë shkëmbinj dhe formacione natyrore të veçanta, të cilat mund të ofrojnë mundësi për hulumtime shkencore dhe turizëm gjeologjik. Këto janë disa nga pasuritë natyrore që Stravajn duke e bërë këtë zonë një destinacion të mundshëm për zhvillim turistik dhe ekoturizëm.
Por ndërsa natyra i ka dhuruar gjithçka banorëve të fshatrave të Stravajt atyre në kushtet aktuale nuk u ka mbetur rrugë tjetër veçse t’i bëjnë thirrje bashkisë së Prrenjasit dhe qeverisë për investime urgjente, sidomos për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, për të rikthyer Stravajn në një destinacion turistik mjaft të preferuar pasi potencialet e kësaj zone janë të shumta.
Stravaj është një shembull i mundësisë së humbur, por gjithashtu edhe një mundësi për të ardhmen. Me investime të nevojshme dhe përkushtim të autoriteteve, kjo zonë mund të rikthehet në një qendër të gjallë zhvillimi dhe turizmi, një shembull i suksesshëm i ruajtjes së pasurive natyrore dhe trashëgimisë kulturore. Stravaj mund të rikthehet në një vend të dashur për shqiptarët dhe turistët, nëse merren veprime për t’i dhënë një mundësi të re jetës dhe zhvillimit të tij.
Banorët e mbetur në Stravaj besojnë se mund të ndodhë edhe mrekullia. Qyteza e degraduar e Sharrë Stravaj mund të rikthehet sërish në një qendër të gjallë, si dikur. Ata ruajnë ende shpresën dhe besimin se me investime të duhura dhe përkushtim ky vend mund të rigjallërohet dhe të bëhet vërtet një destinacion i preferuar turistik. Ata besojnë se pasuritë natyrore, si pyjet, burimet hidrike dhe biodiversiteti së bashku me historinë dhe trashëgiminë kulturore, janë elemente që mund të shndërrojnë Stravajn, Stranikun, Farretin, Shqiponjën, Gaferrin e Sopotin në një zonë të zhvilluar dhe të vizituar nga turistë nga e gjithë bota.
Pavarësisht vështirësive që kanë kaluar, banorët që jetojnë ende Stravaj vazhdojnë të ëndërrojnë për një të ardhme më të mirë, ku investimet dhe zhvillimi do të mund ta rikthejnë shkëlqimin e dikurshëm të qytezës së tyre.
(BalkanWeb)