Nga: DRITAN HILA *
Ja ku ndodhën ca vrasje të tjera dhe mjaftoi që tre idiotë para se t’i çonin në të sëmës të thërrisnin Allahun, që bota të merrej prapë me mua, myslimanin. Nuk e kisha lexuar ndonjëherë Charlin e as kam ditur se Muhameti nuk duhej pikturuar. Apo edhe mundesh? Kush e di. Tashmë si ata që kanë lexuar Kuranin dhe ata që s’i kanë parë kopertinën, të japin mënd. Çfarëdolloj birboje gjeti rastin të marrë poza superioriteti, të më shohë si qenie inferiore, si vrasës të lindur, si gjallesë roskope që mund t’i shpëlash trurin për dyzet ditë dhe ta bësh të hidhet në erë. Për ta jam një prodhues kamikazësh, d.m.th fëmijësh-bombë, megjithëse këtë fjalë nuk e kam shpikur unë dhe jam martuar jo për të prodhuar shahidë, por se ashtu bëjnë gjithë dynjaja. Kurani që nuk e kam lexuar, qenka një manual vrasësish që unë e paskam gjithsesi në ADN. Ma thoshte edhe Hollebeque, megjithëse edhe ai nuk e kishte lexuar. Tani ka ndërruar mëndje. Kjo fe ndaloka pijen, muzikën, pikturën, mishin e derrit dhe ca ushqime u dashkan përgatitur në mënyrë hallall. Unë pi kur kam rast, dhe ha mish derri kur mundem. Edhe hebrenjtë ashtu si unë, kanë rregulla në ushqim që e quajnë kosher. Kohë përpara, në legjionin e huaj francez kur mungonte hoxha, myslimanët qaheshin tek rabini dhe e anasjellta. Mirëpo unë qenkam prapa botës. Më pëlqen muzika e të gjitha llojeve, por më gënjeka mëndja se jam qenie e denjë për të. Edhe të krishterët me fe e kanë detyrim të mbulojnë kokën e grave me shami; e kanë të ndaluar të abortojnë fëmijët. Sipas meje si vishet gruaja ime është punë e saj, dhe fëmijët e mi do të kenë të drejtën të bëjnë zgjedhjet e tyre. Mirëpo unë qënkam kafsha e egër. Në rastin më të mirë, më marrin si konet që shiten në dyqanin e kafshëve, dhe më lëvdojnë e përkëdhelin; më nxjerrin në ekrane si dëshmitar që ka edhe ndryshe ndërmjet myslimanëve, që mund të mbahen edhe në shtëpi. Islami është një fe ku të gjithë janë të barabartë dhe i thërrasin njeri-tjetrit “vëlla”. Unë s’jam aspak i tillë. Nuk e shoh veten të ngjashëm as nga lëkura, nga sjellja apo formimi me arabët, indonezianët apo kaukazianët. Me siguri shumë prej tyre nuk duan të më ngjajnë mua. Kam tre breza që nuk besoj në Zot, pasi më duken të gjithë, si vrasësit e gazetarëve të Charlit, si ata që i qanë nëpër sheshe, hipokritë. Por mua më fusin me zor në të njëjtin thes, megjithëse në atë thes as që duam të jemi bashkë. Mbi një miliard si unë, çohemi në mëngjes të sigurojmë bukën e kalamajve, një të ardhme më të mirë për ata sesa prindërit e mi siguruan për mua, duke u lutur që hatarat të rrinë larg tyre dhe të kenë mundësi të shtohen e ta mbyllin jetën në paqe. Të shumtët nuk shkojnë në xhami, e ata që shkojnë i luten perëndisë t’i ndihmojë. Por kur ndodhin bëma si kjo e Charlit, më ndjekin me kamera të më filmojnë ca delenxhinj që as për vete nuk besojnë, dhe unë i terrorizuar filloj e dërdëllis se “islami është fe e paqes” etj, etj. Kur të çmendurit vrasin në emër të Krishtit, askush nuk kërkon motivin në Bibël. Ndërsa unë e kam të shkruar në ballë që lind terrorist fetar. Të shkulin gazit kur gjuajnë ndonjë fakir në xhami. Ditëziu duhet të fillojë të recitojë shabllonin që tashmë të gjithë e dimë, megjithëse ai gjynahqar as e kupton përse bëhet fjalë. Është në xhami me shumë gjasa t’i lutet Zotit ta shpëtojë nga ndonjë hemorroide apo hernie, që të mundet të punojë të nesërmen në punën e krahut që e ka qyshse mbërriti me barkë apo karroceri kamioni në kontinentin e “ëndrrave”. Askush nuk kujtohet të tregojë se në gërmadhat e Kobane, shkrepat e Kurdistanit apo shkretëtirat e Sirisë dhe Irakut, jam unë myslimani, që e blej 4 dollar fishekun e kallashit për të luftuar kundër mostrave të shtetit islamik, jam unë që kam me mijëra të vrarë nga njerëzit e mi, e megjithatë askush nuk më thotë faleminderit. Faleminderit që nuk e dua, pasi përpara se të jem digë e qytetërimit perëndimor, e bëj për veten time, e bëj që ti jap vetes një mundësi të modernizohem, shkollohem dhe përparoj si të krishterët.
E keni parë sa shpesh akuzohem për dyfytyrësi. Po sa nga ata që ishin në korteun e Parisit dhe kanë timonin e pushtetit në dorë, i lenë gazetarët të ngordhin për bukë; që krenohen se nuk lexojnë gazetat, por qanin gazetarët e Charlit; pronarë mediash që nuk paguajnë rrogat e gazetarëve dhe i dilnin në mbrojtje Charlit. Pashë në Shqipëri fondamentalistë kristianë që ju jepnin leksione tolerance myslimanëve, dhe emisione televizive ku politikanë shqiptarë ju suleshin përfaqësuesve të këtij komuniteti sikur këta i kishin çuar tre debilët të terrorizonin Francën. Nuk pashë të dilte përfaqësuesi i Komitetit të Kulteve. Është një tip që ngjan me një rockstar në pension, sesa dijetar që ka thyer kokën mbi librat e fesë. Nuk shikoj kënd të më sqarojë se cila është e ardhmja ime, se çfarë do më japin që të ndjehem pjesë e këtij vendi, se e ardhmja ime është këtu. Se nëse kam punë, bukë, siguri për jetën, punët e bashkëjetesës i zgjidh vetë. Nëse nuk i kam këto, as rrobat e mia nuk i duroj dot. Në mos nuk më sqarojnë dot sot se janë në zi për Charlin, duhet sa më shpejt.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: