Këtë fundjavë miliona amerikanë po përballen me stuhi bore e temperatura tejet të ulta e kërcënuese për jetën, me një shtrirje të paprecedentë, duke goditur pjesën më të madhe të vendit.

Stuhia që nisi në fillim të javës, ka rrëzuar linjat e energjisë elektrike, ka mbushur autostrada me pirgje makinash të bllokuara, apo të përfshira në aksidente me pasojë vdekjen, duke krijuar kaos për ata amerikanë që kanë zgjedhur të udhëtojnë për pushime e fundvitit. Po kështu me qindra fluturime janë anuluar.

Temperaturat parashikohen të arrijnë të shtunën në minus 13 gradë Celsius në qytetin e Pittsburgh-ut, duke tejkaluar nivelin më të ftohtë të të gjitha kohërave në prag të Krishtlindjeve, vendosur në vitin 1983, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit.

Moti i keq shoqëruar me stuhi të acartë është i pashembullt për nga shtrirja e tij, duke nisur prej kufirit me Kanadanë, deri në Rio Grande përgjatë kufirit me Meksikën. Rreth 60% e popullsisë amerikane ka marrë paralajmërime lidhur me motin e keq./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: