SHKODËR – Një 33-vjeçar mbeti i vrarë në fshatin Dragoç të njësisë Postribë në Shkodër. Shtetasi Ramazan Mataj, u qëllua me breshëri automatiku në orët e mbrëmjes të 4 janarit teksa ndodhej i vetëm në automjetin e tij tip benz.  Viktima po kthehej në shtëpi kur persona ende të paidentifikuar i kanë dalë në pritë duke ekzekutuar 33-vjeçarin. Një kalimtar i rastit ka konstatuar viktimën brenda automjetit rreth orës 7:15 të mëngjesit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke nisur hetimet paraprake. Deri më tani uniforcat blu nuk kanë një pistë konkrete hetimi.

Xhaxhai i viktimës, shtetasi Naim Mataj, 73 vjeç thotë se nipi i tij nuk ka patur probleme me askend dhe se kohët e fundit punonte në Malin e Zi si mjeshtër ndërsa më përpara ka qenë për një periudhë të shkurtër në Belgjikë ku jeton aktualisht vëllai i të ekzekutuarit…

Edhe babai i viktimës, shtetasi Fatmir Mataj deklaroi për policinë se nuk ka asnjë dijeni për ndonjë konflikt të dhakit të tij të vrarë ndërsa tha se fëmijët e tij janë punëtorë dhe se janë rritur mes shumë vështirësive ekonomike. Fqinjët kanë dëgjuar breshëritë e plumbave mbrëmjen e kaluar por kanë menduar se të shtënat kanë ardhur nga dasmorët në një lokal dasmash aty afër duke mos e ditur se bëhet fjalë për një ngjarje kriminale.

Pas veprimeve të grupit të ekspertizës, trupi i viktimës u transportua me një ambulancë drejt morgut të spitalit.

Policisë i erdhi në ndihmë edhe një qen i Forcave të Sigurisë Kombëtare të Shkodrës për të rënë në gjurmët e autorëve që mendohet se kanë qenë dy persona. Zona është një rrugë dytësore e Dragoçit dhe aty nuk ka kamera sigurie.

Policia vijon hetimet për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në fshatin Dragoç të Postribës në Shkodër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb