Një “përforcim” për vazhdimin e kampionatit blutë e kanë të sigurt. Nga ndeshja e parë e 2025-ës kundër Bylisit, Dinamo do të ketë gati sulmuesin Dejvi Bregu.
Ai deri atëherë do të jetë rikuperuar plotësisht nga dëmtimi që e ka lënë jashtë skuadre që pas derbit me Partizanin, ku theu një gisht të këmbës. Vlonjati ka nisur stërvitjen me skuadrën, por nuk ishte 100% gati dhe stafi teknik nuk rrezikoi me të. Bregu ka luajtur 12 ndeshje në këtë kampionat me fanellën blu, 10 nga të cilat si titullar, ndërkohë që ka shënuar 5 gola.
Lojtari 29-vjeçar u dëmtua në momentin kur kishte kapur formën optimale, ndërsa tani do t’i shërbejë skuadrës që prej transfertës së Ballshit.