Elbasani është gati këtë të diel për të mundur Dinamon. Një fitore që do të kishte vlera të shumëfishta, duke parë ditën kur luhet, skuadrën me të cilën luajnë dhe momentin që përballen.
Një trepikësh ndaj bluve do thyente “tersin” e së dielës, mitin që mban emrin Dinamo dhe do të mbante gjallë njëkohësisht luftën për “Final 4”. Për këtë arsye, ndeshja e nesërme ndaj kryeqytetasve shihet si një finale më vete dhe për Elbasanin është më shumë se thjesht një trepikësh. Skuadra është e mobilizuar në maksimum që këtë herë të jenë ata që festojnë në “Elbasan Arena”, ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani.
STABILITETI NË MBROJTJE – Me Dinamon, Elbasani njeh humbjen më të thellë në historinë e vet që kur u krijua pak vite më parë. Verdheblutë u mundën fazën e dytë në shifrat e thella 0-5, duke tronditur jo pak ambientin elbasanas në atë periudhë. Në total, përgjatë 270 minutave me blutë, Elbasani ka pësuar dhjetë gola, të cilët nuk janë pak. Në njëfarë mënyre, problemet në prapavijë kanë qenë të theksuara sa herë janë ndeshur mes njëra-tjetrës.
Mirëpo, kësaj here duket se situata është më ndryshe, me teknikun Ivan Gvozdenoviç, që duket se ka gjetur “çelësin” për të pasur një stabilitet në prapavijë. Thuhet kështu, sepse elbasanasit nuk kanë pësuar gol në tri ndeshjet e fundit, respektivisht me Partizanin, Skënderbeun dhe së fundmi Teutën. Pikërisht me një prapavijë të fortë, serbi do të tentojë të marrë maksimumin ndaj dinamovitëve këtë të diel dhe të mbajë gjallë shpresat e skuadrës për një vend në katërshe në fund të sezonit.
PATHYESHMËRIA – Vërtet Elbasani nuk ka fituar dot terren sa i përket luftës për “Final 4”, sepse i kanë munguar fitoret, por nga ana tjetër është kthyer edhe në një skuadër që nuk mund ta mundësh lehtë. Thuhet kështu, pasi verdheblutë nuk dalin të mundur nga fusha e lojës në pesë takimet e fundit, ku kanë sigluar katër barazime dhe një fitore 2 me 0 ndaj Partizanit. Humbja e fundit ka ardhur ndaj Egnatias kampione dhe që nga ajo kohë nuk kanë dalë më të mundur nga fusha e lojës. Në njëfarë mënyre, ecuria e javëve të fundit u jep shpresë dhe besim se këtë herë ndaj Dinamos do të jenë ata që do të festojnë para publikut të tyre.